Bujqësia, pylltaria e turizmi, tri prioritetet e NISMA-s në Lipjan

Kosova

Bujqësia, pylltaria e turizmi, tri prioritetet e NISMA-s në Lipjan

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 18:36
Kandidati i Nisma për Kosovën për të parin e Lipjanit, Heset Sahiti

Nisma për Kosovën ka hapur fushatën në Lipjan, ku ka bërë edhe prezantimin e kandidatëve për asamble komunale në këtë komunë.

Kandidati i Nisma për Kosovën për të parin e Lipjanit, Heset Sahiti, ka thënë se Lipjani është vend i përshtatshëm me një pozitë shumë të mirë strategjike për zhvillim ekonomik, përkatësisht në fushën e bujqësisë.

Sahiti: Bujqësia, pylltaria dhe turizmi, prioriteti im

“Lipjani është një vend shumë i përshtatshëm për zhvillim ekonomik e në veçanti për bujqësinë. Bujqësia, pylltaria dhe turizmi do të zënë vendin kyç në programin tim zgjedhor... Këta sektorë deri më tani nuk janë trajtuar si duhet. Këtë e dëshmon buxheti i shpenzuar dhe ai i planifikuar pak nga Kuvendi Komunal... Lipjani zhvillimin ekonomik duhet ta orientoj në zhvillimin e bujqësisë të lidhur me industrinë e përpunimit. Ky është edhe qëllimi im i qeverisjes. Lipjani, jo rastësisht është thënë, është hambari i Kosovës”, tha ai.

Ai ka premtuar edhe rritjen e mirëqenies për kategorinë e personave të dalë nga lufta, duke përfshirë heqjen e taksave, subvencione e zgjidhjen për strehim.

Sahiti: Do të përmirësojmë jetën e kategorive të dala nga lufta

“Do ti heqim taksat për këto kategori, subvencionim për këtë kategori, zgjedhjen e strehimit për këtë kategori, rritjen e efikasitetit të zyrave të punësimit, rritjen e ndihmave sociale dhe subvencioneve, të kultivojmë mirëqenien sociale mbi nevojat e qytetareve, kryesisht bazuar në vlerat e drejtësisë sociale”,tha ai.

Ai siguroi se do të depolitizojë sektorin e arsimit në Lipjan derisa tha se do të bëjë edhe ndryshime si në cilësi ashtu edhe në infrastrukturën shkollore.

Sahiti: Do të bëjmë ndryshime rrënjësore në arsim

“Lipjani ka nevojë për një shkollë të re fillore... ka nevojë për rishqyrtim të ndarjes së shkollave profesionale, në atë për ekonomi, juridik dhe shkollën teknike profesionale”, tha Sahiti.

Sahiti tha se është e domosdoshme të ketë investime në infrastrukturë rrugore, ku do të asfaltohen rrugët në bazë të standardeve dhe pa dallime të lagjeve dhe fshatrave. Do të ndërtojmë impiantë për trajtimin e ujërave të zeza. Sipas tij, shëndeti është prioritet për NISMA-n, ku shëndetësia në Lipjan le për të dëshiruar.

E kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën Jakup Krasniqi, ka thënë se është koha që kjo parti të udhëheqë me Lipjanin, duke thënë se NISMA është parti progresive e drejtimit të majtë që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Krasniqi: NISMA do t’a përhapë frymën e solidaritetit

“Nisma për Lipjanin vjen në Kosovë për të përhapur frymën e solidaritetit në mes njerëzve, për të cilin ka kaq shumë nevojë ky popull”, tha Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka lartësuar personalitetin e kandidatit Heset Sahiti, duke thënë se është një ndër njerëzit me të drejt që çmojnë punën dhe profesionalizmin.

Krasniqi thotë se Sahiti do të fuqizojë arsimin, bizneset, infrastrukturën, e madje do ta avancojë secilin nëpunës civil  mbi bazat e aftësive profesionale, pavarësisht  përkatësisë politike.

Krasniqi: Me Heset Sahitin asnjë qytetar nuk do të frikësohet

“Jam i bindur që Heset Sahiti do të jetë përçuesi më besnik i Nismës që të  mos frikësohet asnjë qytetar i Kosovës nga ky kryetar, i cili do të respektojë punën profesionale të çdo nëpunësi të Komunës”, tha Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat