Mustafa: Qeverisja e keqe në Klinë do të përfundojë me fitoren e Besim Hotit

Kosova

Mustafa: Qeverisja e keqe në Klinë do të përfundojë me fitoren e Besim Hotit

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 14:05
Mustafa me Hotin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se qeverisja e keqe në Klinë do të zëvendësohet me qeverisjen e LDK-së dhe kandidatit të saj Besim Hoti, i cili do të fitojë në zgjedhjet e 22 tetorit.

Ai gjatë një tubimi me banorët e fshatit Sferkë të Klinës, tha se së bashku do t’i çojnë përpara proceset perëndimore dhe t’i japin fund qeverisjes së keqe së instaluar tash e sa vite në Klinë.

“Përkrahja juaj e madhe tregon faktin për nevojën që ka Klina për fitoren e LDK-së dhe kandidatit tonë Besim Hoti. Sferka dhe vota e saj ka qenë me ne, por tani kjo votë duhet të rritet edhe më tepër, sepse është më se e qartë se qeverisja jonë është më e mira dhe kjo është dëshmuar si në nivelin qendror, ashtu edhe në komunat ku kemi udhëhequr”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK-së ka shtuar se kjo parti e ka mision t’i shërbejë vendit në të gjitha aspektet, duke i kushtuar theks të veçantë zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë e kështu me radhë.

Mustafa e ka vlerësuar lart kandidatin për kryetar të Klinës, Besim Hotin, duke e cilësuar si zgjidhjen më të mirë për Klinën.

“Është momenti i fundit që Klina të ketë qeverisje më të mirë, sepse në të kundërtën do të degradohet edhe më tutje”, është shprehur Mustafa.

Optimist për fitore është shprehur edhe vetë Besim Hoti, i cili ka ftuar qytetarët e kësaj ane që më 22 tetor të votojnë masivisht dhe më 23 tetor të festojnë së bashku. “Me ardhjen tonë në pushtet, Sferka do t’i thotë stop injorimit dhjetëvjeçar të pushtetit të  deritashëm, anashkalimit dhe keqqeverisjes. Ju garantoj se prioritetet që i keni caktuar vetë, do t’i realizojmë së bashku, duke filluar nga rrugët, ujin e pijes dhe brengat tjera që i keni”, tha Hoti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat