VV: Kastrioti merr frymë lirshëm vetëm me qeverisjen e Aziz Bicit

Kosova

VV: Kastrioti merr frymë lirshëm vetëm me qeverisjen e Aziz Bicit

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 21:29
VETËVENDOSJE

Përmes një tubimi zgjedhor në komunën e Kastriotit,  Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paraqitur sot 20 zotimet për këtë komunë dhe ka ftuar qytetarët për mbështetje në zgjedhjet e 22 tetorit. Në këtë tubim ishin të pranishëm Kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti , Sekretarja e Gruas Aktiviste dhe Anëtarja e Kryesisë, Nazlie Bala.

Me këtë rast, qytetarëve të Kastriotit iu është bërë thirrje që të votohet kandidati për kryetar, Aziz Bici, dhe kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kuvendin Komunal.

Në fjalën hapëse, Nazlie Bala tha se tubimi i sotëm është dëshmi se Kastrioti ka vendosur t’iu bashkangjitet komunave fituese, duke zgjedhur VETËVENDOSJE!-n e duke u bërë komunë që qeveriset nga VETËVENDOSJE!

“Deri në ditën e diel, e që është 22 Tetori, kanë mbetur edhe 7 ditë. Le të punojmë pa u ndalur. Le ta vulosim fitoren e 11 Qershorit  dhe ta kurozojmë me fitoren e 22 Tetorit. VETËVENDOSJE! ka edhe programin, por edhe kandidatin më të mirë për kryetar komune. I vetmi njeri që do t’ia kthejë dinjitetin dhe shpresën këtij vendi është Aziz Bici”, ishte porosia e Nazlie Balajt në Kastriot.

Në anën tjetër, deputeti Albin Kurti, ndër të tjera  tha se gjendja në Kastriot ka ngelur e njëjtë, duke potencuar se edhe sot mungon mirëqenia. Ai tha se Kastrioti është komuna me ndotjen më të madhe në Kosovë, numri i sëmundjeve respiratore është për 1/3 më i lartë se në komunat tjera të Kosovës dhe po ashtu vuri në pah se kjo komunë ka shkallën më të lartë të sëmundjeve kancerogjene. Tutje,  Kurti theksoi se Kastrioti i jep energji Kosovës, por merr ndotje e sëmundje, dhe tha se kjo ndryshon vetëm me Aziz Bicin kryetar.

Image

Ndërkaq, Kryetari  Visar Ymeri para qytetarëve të Kastriotit tha se përveç problemeve të shumta që ka Komuna e Kastriotit, problem mjaft të madh e ka edhe problemin e transportit. Ai tha se qytetarët kanë të kufizuara udhëtimet e tyre vetëm deri në ora 20:00. Por, edhe ai u shpreh i bindur se kjo dhe shumë padrejtësi të tjera që rëndojnë mbi supet e qytetarëve të Kastriotit, marrin fund me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ymeri tha se zotimet për këtë komunë janë zgjidhje për problemet me të cilët qytetarët e saj ballafaqohen përditë.

E, në fjalën përmbyllëse, kandidati për kryetar, Aziz Bici, tha se garës për të parin e Komunës i ka hyrë si një qytetar i Kastriotit, i cili është i shqetësuar me gjendjen aktuale. Ai tha se e njeh mirë historinë e sfidat dhe brengat dhe nevojat e kësaj komune. Për këtë, ai tha se ndihet i lumtur që sot ofron për qytetarët e Kastriotit programin qeverisës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, programin e mireqenies për qytetarët që lufton pabarazinë e sjell zhvillimin.

“Ambienti i pastër nuk është lluks, është domosdoshmëri për jetën e secilit prej nesh. Për herë të parë ne do të sigurojmë matjen dhe monitorim e vazhdueshëm të ndotjes e të zhurmës, publikimin e të dhënave të ndotjes, dhe marrjen e masave të menjëhershme”, tha tutje Aziz Bici.

Ai përmendi edhe pika tjera të programit, pika këto që do të prekin të gjitha sferat e jetës dhe të gjitha shtresat qytetare. Dhe, fare në fund ai prezantoi kandidatët për Kuvendin Komunal nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kastriot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat