Isa Mustafa beson në fitoren e LDK-së në Malishevë

Kosova

Isa Mustafa beson në fitoren e LDK-së në Malishevë

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 22:15
Isa Mustafa në tubimin në Malishevë

LDK-ja në Malishevë përherë ka qenë e përkushtuar në mbrojtjen e vlerave, në ndaljen e padrejtësive ndaj qytetarëve, nuk ka heshtur kurrë ndaj shkeljeve të shumta të ligjit nga pushteti i deritashëm, andaj më 22 tetor duhet të ndodhë ndryshimi i madh.

Kështu është thënë në tubimin zgjedhor të LDK-së në fshatin Atrazub të Malishevës.

Kandidati për kryetar të Malishevës nga LDK-ja, Sami Kafexholli, potencoi se do të punojnë në zhvillim ekonomik, administratë profesionale, arsim e shëndetësi të pa politizuar, përkrahje të madhe për bujqësi, rend, rregull, transparencë buxhetore dhe zero tolerancë ndaj krimit e korrupsionit.

“Programi ynë është hartuar në harmoni me kërkesat e qytetarëve. Pushtetarët e deritashëm keqpërdorën taksat e qytetarëve, pronën publike, politizuan çdo institucion shtetëror, prandaj duhet që sa më parë të shkojnë në shtëpi. Besimi dhe vota juaj për LDK-në do të thotë jetësimi i një qeverisjeje ndryshe nga kjo aktuale”, ka thënë Kafexholli.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se beson që kjo parti do të fitojë në Malishevë.

“Ne besojmë se një qeverisje e LDK-së i bën mirë Malishevës. E them këtë, sepse ne kemi qeverisur në nëntë komuna në katër vjetët e fundit, në komunat më të mëdha, kemi qeverisur në mënyrën më të mirë, nuk kemi pasur asnjë skandal dhe në secilën prej tyre kemi arritur rezultate të mira”, tha ai.

Ai ka theksuar se përkrahja e madhe për LDK-në është shumë e madhe dhe kjo është vërejtur në Podujevë, Gjilan, Pejë, Viti, Lipjan, Fushë Kosovë dhe shumë komuna tjera.

“Në fakt mandatin e kemi kryer pak më herët, pasi të tjerët u frikësuan nga rezultatet tona. Kjo tregon se ne dimë të qeverisim, prandaj edhe Malisheva duhet të udhëhiqet nga Sami Kafexholli, sepse në këtë mënyrë lidhemi me suksesin e vendit”, ka thënë Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat