Mustafa: Programi i LDK-së në Suharekë bazohet në zhvillim dhe punësim

Kosova

Mustafa: Programi i LDK-së në Suharekë bazohet në zhvillim dhe punësim

Më: 19 tetor 2017 Në ora: 15:23
Pamje nga takimi

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë sot se modeli i qeverisjes lokale në Suharekë dhe në gjithë Kosovën, bazohet në zhvillimin ekonomik, lokal, krijimin e qeverisjes së mirë dhe me duar të pastra, arsim dhe shëndetësi cilësore dhe perspektivë për të gjitha moshat.

Gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të bizneseve në Suharekë, kreu i LDK-së ka thënë se kjo parti në këto zgjedhje lokale ka program të qartë për zhvillim ekonomik lokal për secilën komunë, varësisht prej specifikave të komunës.

“Qeverisja lokale që ofron LDK-ja në Suharekë dhe gjithë Kosovën është e orientuar drejt: zvogëlimit të papunësisë dhe rritjes së standardit të jetesës përmes aktivizimit të potencialeve për rritje ekonomike dhe punësim; krijimit të kapaciteteve të reja ekonomike; krijimit të mundësive për investime të reja; dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve nëpërmjet përmirësimit dhe avancimit të vetëqeverisjes lokale në fushën e ekonomisë”, ka thënë Mustafa.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se platforma për zhvillim ekonomik lokal garanton që, në katër vitet e ardhshme, në komunat e qeverisura nga LDK: të zhvillohen politika përkrahëse lokale për biznese; përmirësim të infrastrukturës urbane dhe rurale; përmirësim të shërbimeve publike; mundësi më të mëdha dhe të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët; kushte më të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme; kreditimin e jashtëm për projekte komunale; mbështetjen e bizneseve që krijojnë vende të reja të punës; dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor lokal dhe ekologjik etj.

Ndërsa, kryetari aktual dhe kandidati për t’u rizgjedhur në këtë post, Sali Asllanaj, ka thënë se programi i tij në katër vitet e ardhshme do të fokusohet për zhvillimin ekonomik të komunës.

“Zona industriale në Shirokë e Agrozona në Samadraxhë janë krenari për ne dhe ato do t’i fuqizojmë edhe më tepër. Bizneset do t’i përkrahim edhe më shumë, do të krijojmë vende të reja pune. Bujqësia do të ketë rritje 50 për qind e buxhetit, turizmi malor do të zhvillohet, ndërtimi i rrugës për Brezovicë do të ndikojë që ne të jemi aneks i turizmit dimëror, sepse do të jemi vetëm dhjetë minuta larg Dellocit. Këto premtime do të realizohen, sepse janë obligime për ne”, ka thënë Asllanaj.

 “Për të rinjtë do të krijojmë ambiente të mira kulturore dhe sportive. I kemi ndërtuar 15 fusha sportive për katër vjet dhe do të ndërtojmë edhe aty ku ka mbetur pa u ndërtuar. Tani do të fillojë ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës, me emrin e të madhit Ukë Bytyçi. Aty do të zhvillojë aktivitetin secili i ri që ka aftësi“, ka shtuar Asllanaj.

Në këtë tubim janë prezantuar të gjithë kandidatët e LDK-së për këshilltarë të Kuvendit Komunal të Suharekës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat