Xhemajli premton zhvillimin e turizmit malor në Suharekë

Kosova

Xhemajli premton zhvillimin e turizmit malor në Suharekë

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 11:30
Blerim Xhemajli

La detyrën e tij si zëvendës ambasador i Kosovës në Mal të Zi, për të garuar për kryetar të komunës së Suharekës.

E Blerim Xhemajli zotohet se ai dhe Partia Demokratike e Kosovës do të bëjnë më shumë për këtë komunë në katër vite se sa që kanë bërë partitë e tjera për 17 vite.

Ndërsa, zhvillimi i bujqësisë, zhvillimi i turizmit malor dhe përkrahja e bizneseve të vogla dhe të mëdha janë tri prioritetet kryesore të programit të tij qeverisës për komunën e Suharekës.

Pretendenti për të parin e Suharekës nga PDK, Blerim Xhemjali, thotë se qytetarët e kësaj komune duhet ti besojnë votën për shkak të punëve që i ka bërë deri më tani.

Xhemajli: Unë dhe PDK do të bëjmë shumë për këtë komunë në 4 vite

“Mendoj se qytetarët duhet të më besojnë duke e pasur parasysh punët që i kam bërë deri më tani kudo që kam punuar, duhet të më besojnë në sinqeritetin, në një motiv shumë të madh për të punuar në dobi të qytetarëve. Dhe unë mendoj se unë dhe Partia Demokratike mund të bëjmë për 4 vite sa partitë tjera që nuk kanë bërë për 17 vite. Kjo është një arsye e jashtëzakonshme, që është një shanc edhe për qytetarët e Komunës tonë që me votën e tyre të vendosin për votën e tyre për arsye se Suhareka është lënë mbrapa, fshatrat kanë jashtëzakonisht shumë probleme, qytetarët nuk kanë ku dalin, nuk kanë parkingje, nuk kanë sheshe, nuk kanë ndonjë fontanë, nuk kanë çerdhe të fëmijëve. Kanë probleme me ujë, kanë probleme me kanalizime, Suhareka ka mbetur jashtëzakonisht shumë mbrapa”, ka thënë ai.

Xhemajli ka thënë se problemet kryesore të komunës që pretendon ta udhëheq janë mungesa e ujit, kanalizimit dhe infrastruktura bazike. Ndërsa, ka thënë se qeveritë e deri tanishme nuk kanë bërë asgjë të mirë për këtë komunë.

Xhemajli: LDK nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e jetës së qytetarëve

“Qytetarët e komunës së Suharekës ende ballafaqohen me nevojat më elementare për jetesë sic është uji, kanalizimet, infrastruktura bazike që definitivisht ata njerëz i kanë lënë jashtëzakonisht keq dhe mbrapa. Kjo është një anomali që në 2017 në vend se të merremi me  punën e mundësisë së investimeve të bizneseve prej Kosovës dhe prej jashtmit, të thithim donacione, të merremi me përmirësimin e jetës për qytetarët, e qytetarët merren prapë si si me qenë në vitin 2002, 2003 me senet më elementare të infrastrukturës bazike. Kjo është për të ardhur keq që në Suharekë nuk është pru asnjë investim i madh prej qeverisë së Kosovës dhe nuk ka asnjë investim apo donacion prej jashtë. Këto 17 vite kryetarët që e kanë udhëhequr Suharekën, sidomos LDK nuk kanë bërë asgjë për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për thithjen e investimeve si nga qeveria, si nga investitorët e jashtëm”, theksoi Xhemaj li.

Kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Suharekës, Blerim Xhemjali, pjesë të programit të tij qeverisës ka zhvillimin e turizmit malor përmes etno dhe eko fshatra, i cili ka thënë se mund të zhvillohen vetëm pas ndryshimit të zonave të Parkut Nacional.

Xhemajli: Në 2 vjetorin e parë do të punësojmë shumë njerëz

“Unë e kam një projekt konkret që e kam shtjelluar deri ne detaje dhe mund të ju garantoj që në një të ardhme të afërme në mandatin tim qysh në dyvjeçarin e parë ne do t’i kemi mundësitë t’i punësojmë jashtëzakonisht shumë njerëz në turizmin malor duke pasur parasysh se aty janë edhe produktet bioprodukte. Njerëzit edhe në Kosovë por edhe jashtë Kosovës janë jashtëzakonisht shumë, që të dalin të ecin në natyrë, të pushojnë në natyrë, ka edhe njerëz që u nevojitet për shërim në natyrë, dhe e gjitha kjo bën që ne prioritet të prioriteteve ta kemi turizmin malor. Eko fshatrat unë i kam vizituar disa herë disa rajone kur kam qenë në Mal të Zi dhe e kam parë se si zhvillohet turizmi malor. Mu këtu është pika qendrore e programit tim”, tha Xhemajli.

Duke qenë se ligji ekzistues për Parkun Nacional nuk lejon ndërtime për zhvillim të turizmit, rregullim të infrastrukturës Xhemajli  ka thënë se kjo ua ka mohuar banorëve investimet në këtë sektor. Sipas tij, kjo është pasojë e neglizhencës së kryetarëve që kanë qeverisur me Suharekën sepse nuk i kanë mbrojtur interesat e qytetarëve gjatë përpilimit të ligjit.

Ndërsa, premton se do të angazhohet për ndryshim të zonave të Parkut Nacional duke krijuar hapësira për ndërtime në Dolloc, Maqitevë, Mushtisht, Greikoc, Bukosh dhe Budakovë. E që kjo ai thotë se do të arrihet me ndërtimin e infrastrukturës bazike, ndërtime të kampeve dhe shtëpive malore duke mos shkatërruar ekosistemin.

Ndërkaq, sa i përket bujqësisë kandidati për kryetar të Suharekës ka thënë se synojnë një ndihmë serioze në fuqizimin e ekonomive dhe bizneseve ekzistuese familjare me bujqësi tradicionale.

Ruajtja e tokës bujqësore nga degradimi prej ndërtimeve Xhemajli ka thënë se do të bëhet duke i ndërtuar planet rregulluese për secilin fshat dhe ngritjen e vijave strikte ndërtimore.

Xhemajli: Për zhvillimin e Suharekës nevojitet zhvillim i bujqësisë

“Pika e dytë referente për zhvillimin e komunës së Suharekës është pika e bujqësisë, ku suharekasët njihen si njerëz jashtëzakonisht shumë punëtorë, njerëz të cilët në të kaluarën kanë qenë njerëz të cilët me produktet e veta e sidomos me prodhimin e rrushit të tryezës që ka qenë dhe është rrushi më i mirë i Evropës lindore, me prodhimin e verës e cila është eksportuar në Evropën Perëndimore në një kohë më të hershme e që fatkeqësisht për shkak të disa problemeve ka pasur ngecje të mëdha. Prioritet i yni është që këtë brend t’ia kthejmë Suharekës dhe unë do të bëj çdo gjë  brenda mundësive të mia që t’u ndihmoj këtyre punëtorëve dhe prodhuesve dhe së bashku me produktet e tjera me zhvillimin e blegtorisë, bujqësisë, bletarisë, t’ia mundësojmë që sa më shumë njerëz të inkuadrohen në punë”, ka thënë kandidati për kryetar të Suharekës.

Përkrahje për bizneset e vogla kandidati për kryetar të Suharekës, Blerim Xhemajli, ka thënë se do të ofrojnë përmes fondit të punësimit, ku gjatë muajve të parë të krijimit të bizneseve do të i financoj komuna 50 përqind të pagave të punëtorëve

Kandidati i PDK-së për kryetar të Suharekës, Blerim Xhemajli, ka folur edhe për qeverisjen e kaluar të kësaj komune, e për të cilën qeverisje ka thënë se ka mungesë të kreativitetit dhe inovacionit.

Xhemajli: Qyteti i Suharekës nuk ka me çfarë të krenohet

“Unë e shoh edhe në pamundësi mungesën e kreativitetit, inovacionit dhe motivit të kryetarit të komunës për arsye të udhëheqjes njëmbëdhjetë vjeçare të një personi të cilit komuna i është bërë si shtëpi e vetja dhe realisht nuk ka diçka që mund të japë për këtë komunë sepse as deri me tani nuk ka dhënë. Të thuash që duhet të jesh i kënaqur me  4 milionë euro thithje të mjeteve të qeverisë se Kosovës për 4 vite dhe kjo është një katastrofë që e ka mbërthyer komunën e Suharekës duke pasur parasysh se për 4 vite nuk mjaftojnë për një fshat e lëre më për një komunë. Unë këtu shoh një pamundësi të kryetarit të komunës që të dalë jashtë dhe të merr investitorë të jashtëm, thith ndonjë donacion prej jashtit dhe të sjellë diçka në komunën tonë, që fundi i fundit gjithçka do t’u mbetej qytetarëve të Suharekës pa marrë parasysh se kush do ta udhëheqë komunën e Suharekës më tutje. Unà « e shoh një pengesë jashtëzakonisht të madhe vetë qytetin e Suharekës ku qyteti i Suharekës nuk ka me çfarë të krenohet, nuk ka një qendër, nuk ka një shesh, nuk ka parkingje”, ka thënë ai.

Blerim Xhemajli për kryetar të komunës së Suharekës garon me Partinë Demokratike të Kosovës, e që mban numrin 94.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat