Përfundon faza e parë e konservimit të rrobave dhe artefakteve personale të personave të zhdukur

Kosova

Përfundon faza e parë e konservimit të rrobave dhe artefakteve personale të personave të zhdukur

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 14:17
Foto ilustrim

Në gjysmën e parë të muajit nëntor, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) kompletoi fazën e parë të projektit dy-mujor për konservimin e rrobave dhe artefakteve personale të personave të paidentifikuar, të supozuar si të zhdukur, në lidhje me konfliktin e armatosur të viteve 1998-1999 në Kosovë.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se, “ky projekt, përveç që i ndihmon procesit të identifikimit, ka për qëllim të adresojë kërkesën e vazhdueshme të familjeve, pasi që rrobat dhe artefaktet personale, të konservuara në kushte joadekuate, ishin të rrezikuara nga dëmtimet”.

“KNKK konfirmon kompletimin e fazës së parë të projektit, sipas kërkesës së familjeve, të cilat kishin vërejtur dëmtimin e vazhdueshëm si shkak i kushteve joadekuate të konservimit të këtyre gjësendeve të cilat u takojnë familjarëve të tyre”, tha Agim Gashi, Shef i Misionit të KNKK-së në Kosovë. “Duke shpresuar se ky veprim lehtëson sadopak vuajtjet e familjeve, KNKK përkushtohet të vazhdojë me fazën e dytë të projektit në momentin kur kushtet atmosferike të lejojnë, me ç’rast, të gjitha rrobat dhe artefaktet personale do të konservohen në mënyrë adekuate”.

Gjithsej, 378 kuti me rroba dhe artefakte personale janë procesuar dhe ri-paketuar në kuti të reja të etiketuara në hapësirën e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), e të gjitha janë transferuar në një objekt të sigurt magazinimi në Ministrinë e Drejtësisë i cili ofron organizim të mirëfilltë dhe standarde të pranueshme, transmeton Koha.net.

“Më shumë se 1,000 kuti me rroba dhe artefakte personale ende mbesin të konservuara në kontejnerë në IML dhe do të procesohen gjatë vitit 2018”, thuhet në komunikatë.

KNKK, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, IML-në dhe Ministrinë e Drejtësisë, ka ndërmarrë këtë projekt bazuar në një vlerësim profesional mbi gjendjen e rrobave dhe artefakteve personale, rekomandimet e të cilit ndihmuan në kompletimin e fazës së parë.

Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe ligjit ndërkombëtar për të drejta të njeriut, familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë të informohen mbi fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur. Autoritetet dhe ish-palët ndërluftuese mbartin përgjegjësinë kryesore për të ofruar përgjigjje.

Sot, 1,655 persona të cilët u zhdukën në lidhje me konfliktin e armatosur në Kosovë ende vazhdojnë të kërkohen nga familjarët e tyre. Viteve të fundit është arritur shumë pak përparim për të sqaruar fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat