Investimi te fëmijët e vegjël, është investim i të ardhmes së një vendi

Kosova

Investimi te fëmijët e vegjël, është investim i të ardhmes së një vendi

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 11:31
Pamje nga konferenca me temë “Investimi në kujdesin dhe zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme: faktet, mundësitë dhe sfidat”

Investimi në kujdesin dhe zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme, do të rriste punësimin, ekonominë por edhe do forconte barazinë gjinore. Kështu u tha në konferencën dy ditore rajonale me temë “Investimi në kujdesin dhe zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme: faktet, mundësitë dhe sfidat”.

Konferenca po shihet si një mundësi për hartuesit e politikave, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe akterë të tjerë, për t'u informuar dhe ndarë praktikat më të mira mbi rëndësinë e investimeve në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme.

Drejtor vendor i organizatës “Save the Children”, Ahmet Kryeziu, fëmijëria e hershme është një fushë që po i kushtohet rëndësi e jashtëzakonshme në gjithë vendet e botës.

Ai përmendi edhe Bankën Botërore, sipas së cilës, investimi tek fëmijët është investimi më i mençur që bëjnë vendet e ndryshme, pasi investimi tek fëmijët është investim në shoqërinë.

Kryeziu: Investimi në kujdesin e hershëm do të rriste ekonominë

“Investimi në kujdesin e hershëm do të rriste punësimin, do të rriste ekonominë dhe do forconte barazinë gjinore. Edhe Qeveria e Kosovës është duke i ndjekur hapat e botës, dhe në strategjinë kombëtare për zhvillim 2016-2021 ka njohur që rritje e gjithëpërfshirës në institucionet parazgjedhore vendos bazën për sukses akademik në jetë më vonë, zvogëlon pabarazinë dhe rritë kapitalin vendor në vend “, ka thënë ai.

Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci tha se janë të gatshëm që të marrin përgjegjësinë e koordinimit në mes institucioneve për një zhvillim të duhur të fëmijërisë së hershme.

Geci: MAShT e gatshme që të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësit që i takojnë

“Ministria e Arsimit është e gatshme që të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësit që i takojnë për të rishikuar programet e edukimit parashkollor, modelet e mësimdhënies-mësimnxënies për të ofruar një model sa më të mirë që të jetë e mundur për të ofruar një zhvillim të shëndoshë, një zhvillim të barabartë të fëmijëve në fëmijërinë e hershme dhe për të nxitur kreativitetin e tyre sepse e dimë që suksesi në fëmijërinë e hershme është një sukses në periudhat e më vonshme dhe e kundërta, ngecjet që të më ketë fëmijët në fëmijërinë e hershme reflektohen në forma të ndryshme dhe bëhen barrë për shoqërinë në periudha të më vonshme “, tha ai.

Zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli tha se familja, shoqëria, shteti dhe në përgjegjësi njerëzimi duhet të kujdesën për rritjen, edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.

Konferenca është organizuar nga organizata “Save the Children”, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat