Kërcënohet në zyrën e tij kryetari i Rahovecit

Kosova

Kërcënohet në zyrën e tij kryetari i Rahovecit

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 19:40
Komuna e Rahovecit

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, është kërcënuar sot në zyrën e tij të punës nga një qytetar i kësaj komune.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Gjakovës, Lirije Podrimaj.

Sipas zëdhënëses, Policia ka marrë një informacion se sot rreth orës 15:40, në zyrën e Drejtorisë për Arsim në Komunën e Rahovecit, një arsimtar kishte filluar të bërtas me ton të lartë.

“Më pas personi ka hyrë edhe në zyrën e kryetarit aktual të kësaj Komune me ç’rast e ka kanosur edhe kryetarin derisa ka ndërhyrë stafi i Komunës dhe e ka larguar nga zyra”, tha Lirije Podrimaj për KALLXO.com.

Me të marrë informacionin, patrullat policore janë vënë në kërkim të personit të dyshuar dhe i njëjti është arrestuar në ora 17:00 n? shtëpinë e tij.

“Pas intervistimit, personi mbahet në ndalim policor prej 48 orësh me urdhër të Prokurorit të Shtetit”, tha zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Gjakovës.

Ndryshe, Idriz Vehapi sipas rezultateve preliminare të balotazhit të 19 nëntorit, ka humbur përballë kandidatit nga AAK, Smajl Latifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat