Flet nëna që iu shpëtua jeta pas operacionit shtatë orësh në Gjinekologji

Kosova

Flet nëna që iu shpëtua jeta pas operacionit shtatë orësh në Gjinekologji

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 18:47
QKUK

Nëna që shpëtoi pas operacionit shtatë orësh në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, është shprehur shumë falënderuese ndaj ekipit të mjekëve në krye me Dr. Fehmi Zeqiri. Ajo ka thënë se do të ndihet mirënjohëse për krejt jetën.

E buzëqeshur dhe në disponim, ndonëse ende qëndron në repartin intensiv në Klinikën e Gjinekologjisë, nëna Arlinda Himaj ka rrëfyer për Gazeta Shneta gjendjen e saj para dhe pas operacionit.

Nëna 37 vjeçare kishte mbetur shtatzënë me fëmijë binjakë dhe në javën e 25-të i ishin paraqitur komplikime. Nga Spitali i Gjakovës ishte transferuar në Klinikën e Gjinekologjisë, ku kishte pasur gjakderdhje.

Dr. Fehmi Zeqiri ka treguar se janë përpjekur që të shtyjnë shtatzëninë për të shpëtuar bebet, por një javë më vonë, të premten mbrëma kishte filluar sërish gjakderdhja.

Me urgjencë ishte thirrur Dr. Zeqiri në orën 2 pasmesnate. Djali i tij Albani e kishte hapur telefonin dhe e kishte zgjuar nga gjumi. Posa e kishte sjellë babanë e tij në Klinikë, kishte shkuar vet në Transfuzionin e Gjakut për të dhuruar gjak për Arlindën.

Pak para orës 3 mjeku kishte hyrë në sallë me ekipin e tij, operatorin Dr. Afrim Veliu, anesteziologët Dr. Ragip Musliu, Dr. Bekim Merdiu, teknikja Naile Gashi, si dhe urologët Dr. Xhevdet Çuni e Dr. Ilir Miftari dhe një kirurg vaskular të cilët ishin ftuar më vonë për ndihmë.

Lufta për të shpëtuar jetën e Arlindës do të zgjaste shtatë orë. “Ka qenë rasti më i rëndë që nga pas lufta”, është shprehur Prof. Zeqiri.

Nëna ka rrëfyer me emocione momentet para hyrjes në sallë. Me gjakderdhje të lartë dhe në vështirësi, ajo mban në mend pak detaje.

“Nuk kam dit asgjë, veç kam than më shpëtoni, më shpëtoni. Send tjetër nuk di”, ka treguar ajo.

Pasi është këndellur nga gjendja e rëndë pas operacionit, nëna është shprehur shumë e kënaqur me kujdesin e infermiereve në repartin e intensivës në Gjinekologji.

“Jam shumë mirë sepse po më këqyrin mirë. Kam probleme me zorrë. Nuk kam qenë e përgatitur për operacion dhe kam ngrënë ushqim dhe tash po kam probleme”, thotë ajo derisa përtyp një çamçakëz me rekomandim të mjekëve për të vënë zorrët në lëvizje.

“Tepër mirë dhe vetëm fjalë të mira kam. Kam ardhë për herë të parë dhe jam shumë e kënaqur”, shton ajo.

Arlinda uron që edhe nënat e tjera të kenë fatin të trajtohen nga Dr. Zeqiri. “Jo, jo, shpresoj që të mos e kenë fatin tënd”, ia kthen me humor mjeku.

Dr. Zeqiri ka treguar për shkakun që çoi deri te komplikimet në këtë rast. Placenta kishte bllokuar kanalin e lindjes dhe gjithë segmentin tjetër duke përfshirë edhe fshikëzën e urinës, çka kishte shkaktuar hapjen e enëve të gjakut.

Gjatë operacionit nënës i ishin dhënë 28 doza të gjakut dhe 21 plaza, për çka mjeku ka falënderuar Transfuzionin e Gjakut për gatishmërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat