Flet babai i punëtorit të vdekur Tafil Tafallari

Kosova

Flet babai i punëtorit të vdekur Tafil Tafallari

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 13:55
Tafil Tafallari

Mëngjesi i 28 tetorit ishte i kobshëm për familjen Tafallari nga fshati Bylbyldere i Prizrenit. Anëtari i kësaj familje, 41 vjeçari Tafil Tafallari gjeti vdekjen në vendin e tij të punës, në ndërtimin e autostradën Prishtinë – Shkup.

Ky rast nxiti reagime nga institucionet përkatëse, e disa u vunë në punë menjëherë duke dal në vendin e ngjarjes për të zbardhur gjithë ndodhin.

Disa ditë pas humbjes së jetës së Tafallarit, Inspektorati i Punës hartoi raportin final të rrjedhës së ngjarjes.

Inspektorati përmes këtij raporti gjen fajtor kompaninë “Bechtel & Enka”, për të cilën punonte Tafil Tafallari, pasi kishte shkelur disa dispozita të Ligjit të Punës, e që si pasojë kishte ardhur deri te aksidenti fatal.

Në bazë të këtij raporti, Inspektorati i Punës merr edhe një vendim. Vendimi i këtij institucioni ishte që kompaninë “Bechtel & Enka” ta gjobisë me 7 mijë e 500 për rastin.

Në lidhje me këtë vendim dhe gjithë ngjarjen Ndërtimi.info ka kontaktuar me familjen e të ndjerit Tafil Tafallari.

Edhe pse si familje kanë vendosur që të mos deklarohen për këtë rast, babi i tij, Maxhun Tafallari ka thënë disa fjalë për Ndërtimin.

Duke thënë se në lidhje me vendimin e Inspektoratit do të merret avokati i rastit, ai e ka quajtur ‘hajgare’ këtë vendim.

“Normal që është pak. Hajgare me bë a”, është shprehur me mllef babai i Tafit Tafallarit.

Pavarësisht se humbi djalin në vendin e punës, duke punuar për kompaninë “Bechtel & Enka”, këto dy palë më nuk kanë kontaktuar as për një herë të vetme.

“Me ‘Bechtel & Enka’-n nuk kemi biseduar ende asgjë, asgjë s’ka”, ka thënë shkurt Maxhun Tafallari.

Duke qenë se puna e Tafil Tafallarit ishte rreth ndërtimit të autostradën, e që disa herë “Bechtel & Enka” është kritikuar për kushtet që iu ofron punëtorëve, ai asnjëherë nuk i është ankuar babait të tij për këto kushte.

“Jo nuk është ankuar. I ka pas të gjitha kushtet. S’ka pas asgjë aty, por çka me bë tash”, ka treguar babai i Tafilit, Maxhuni.

Maxhun Tafallari me kaq ka ndërprerë bisedën në lidhje me rastin e djalit të tij.

Shkurt në lidhje me këtë rast disa herë e kanë pasur edhe përfaqësues të kompanisë “Bechtel & Enka”. Ata janë kontaktuar disa herë, mirëpo asnjëherë nuk kanë dhënë shumë detaje rreth rastit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat