Rreziku i korrupsionit në Policinë e Kosovës

Kosova

Rreziku i korrupsionit në Policinë e Kosovës

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 17:43
ilustrim

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në kuadër të projektit rajonal POINTPULSE, më 8 dhjetor 2017 ka organizuar konferencën rreth integritetit të Policisë së Kosovës, me temën “Rreziku i Korrupsionit në Policinë e Kosovës”.

Përkundër faktit që një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të policisë janë arrestuar gjatë vitit 2016 dhe 2017, perceptimi publik i qytetarëve të Kosovës rreth besueshmërisë në këtë institucion vazhdon të qëndrojë pozitiv. Për dallim me vitin 2016, në vitin 2017 ka rritje të besueshmërisë në polici për 6 përqind (nga 56 përqind në 62 përqind). Megjithatë, perceptimi publik i qytetarëve të Kosovës tregon se policia është e ekspozuar ndaj rrezikut të korrupsionit, ku 28 përqind e qytetarëve besojnë se PK është e korruptuar dhe 29 përqind prej tyre konsiderojnë se ajo është deri diku e korruptuar. Në këtë aspekt, ka rritje shumë të madhe për dallim nga viti 2016 ku vetëm 11 përqind e të anketuarve e kanë konsideruar policinë si institucion të korruptuar.

“Këto të dhëna rrjedhin nga Barometri Kosovar i Sigurisë i QKSS i cili ka bërë matjen e perceptimit publik në Kosovë lidhur me institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend gjatë tetorit të vitit 2017”, theksoi Hulumtuesi i QKSS, Plator Avdiu.

Pavarësisht perceptimeve pozitive, Policia e Kosovës po ballafaqohet me sfida serioze kur është fjala për integritetin e saj. Rrjedhimisht, kreu i Sektorit të Zhvillimit të Karrierës në Departamentin e Burimeve Njerëzore të policisë, Brahim Sadriu, theksoi se institucioni tashmë ka hartuar Planin e Integritetit. “Plani ka identifikuar fushat më të prekshme brenda policisë dhe përmes planit të veprimit ato do të adresohen. Plani i Integritetit do të kontribuojë në rritjen e transparencës, parandalimin e korrupsionit dhe fuqizimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm me qëllim të rritjes së integritetit në polici”, theksoi Sadriu.

Në anën tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar 130 raste të veprave penale brenda PK-së në periudhën janar-shtator 2017. Megjithatë, ka ende mospajtime në mes të Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë së Shtetit për kryerjen e testit të integritetit për pjesëtarët e policisë. “Ndryshimet e reja në Kodin Penal duhet të definojnë më mirë çështjen e testit të integritetit” theksoi drejtori i Departamentit të Hetimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës, Burim Raçi.

Panelistët kanë ngritur edhe disa çështje tjera që kanë të bëjnë me integritetin e policisë, siç janë sfidat rreth rekrutimit dhe gradimit të zyrtarëve policorë, prokurimi publik, hetimet ndaj punonjësve të policisë të akuzuar për korrupsion dhe mungesa e transparencës së policisë në publikimin e dokumenteve të brendshme të institucionit.

Kjo konferencë u organizua në kuadër të projektit “Pulsi i Ballkanit Perëndimor për Integritetin dhe Besueshmërinë në Polici” i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit “Mbështetja për Shoqërinë Civile”. Pikëpamjet e shprehura në këtë projekt janë vetëm të QKSS-së dhe nuk shprehin domosdoshmërisht ato të Bashkimit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat