Thaçi: BE-në s’mund ta ndryshojmë, duhet t’i kryejmë punët tona

Kosova

Thaçi: BE-në s’mund ta ndryshojmë, duhet t’i kryejmë punët tona

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 22:16
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur qëndrimin e tij se ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ka qenë një kriter i padrejtë që i është vënë Kosovës nga Bashkimi Evropian, për liberalizimin e vizave.

I pari i vendit ka thënë se tani i mbetet Kosovës ta ratifikojë Demarkacionin për të sjellë zgjidhjen për qytetarët.

“Demarkacioni ka qenë kriter i padrejtë, por tashmë është vënë nga Bashkimi Evropian. Ne nuk mund ta ndryshojmë Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi, gjatë një interviste.

“Duhet të ndryshojmë vet. Duhet ta kalojmë Demarkacionin në Kuvendin e Kosovës”, ka porositur i pari i vendit.

“Duke e kaluar Demarkacionin në Kuvendin e Kosovës, ne i japim të gjitha argumentet partnerëve tanë që të na mbështesin. Dhe i mohojmë çdo argument oponentëve për të na refuzuar”, ka theksuar Thaçi.

Presidenti kosovar ka thënë se duhet të ndërtohet një konsensus i plotë evropian në mbështetje të Kosovës për liberalizimin e vizave. Pastaj, sipas tij, është veç çështje procedurale se kur ndodh.

Thaçi është shprehur optimist se liberalizimi i vizave për kosovarët “me siguri se ndodh brenda vitit”.

Megjithatë, numri një i Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian është vonuar me Kosovën.

“Kam qenë kritik, se të ardhmen evropiane të Kosovës e ka vonuar. Jo vetëm të Kosovës, por të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Thaçi.

“Duke u vonuar, Bashkimi Evropian ka krijuar hapësira dhe vakum për depërtimin e elementëve të tjerë, të ideologjive joevropiane, joeuroatlantike”, ka vlerësuar ai.

Por, ai ka porositur se Kosova tani duhet t’i kryejë punët e veta.

“Tani punët tona duhet tona duhet t’i kryejmë ne vet. Sa më shpejt që i kryejmë, Bashkimi Evropian do të reagojë më shpejt”, ka thënë Thaçi.

“Por, ne nuk mund ta ndryshojmë Bashkimin Evropian. Duhet ta votojmë Demarkacionin – kjo është zgjidhja”, është shprehur ai.

Thaçi ka parashikuar se nëse ratifikohet demarkacioni brenda këtij muaji, edhe çështja e vizave do të kryhet brenda këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat