Në Zveçan hapet Qendra Operative Emergjente

Kosova

Në Zveçan hapet Qendra Operative Emergjente

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 15:46
Mahir Hasani

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka shënuar sot në Zveçan Ditën Evropiane të numrit 112, me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit për numrin emergjent evropian 112.

Me këtë rast, këtu u bë edhe hapja e Qendrës së AME-së që do të shërbejë për rajonin e veriut të Kosovës, ndërsa morën pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës, KFOR-it, OJQ-ve dhe të organizatave tjera që merren me çështjet emergjente, si dhe qytetarë. Koordinatori i AME-së në Kosovë, Mahir Hasani, tha se me hapjen e qendrës operative emergjente në Zveçan, institucionet e Kosovës po shtrijnë autoritetin e saj në gjithë territorin e saj. Sipas tij, ekziston një bashkëpunim i mirë në mes të institucioneve qendrore dhe atyre në veri dhe nuk ka ndonjë problem.

Hasani: Jemi të kënaqur me pjesëmarrjen edhe të veriorëve

“Para dy viteve me marrëveshje është vendosur që edhe në këtë pjesë të Kosovës të formohet Qendra Operative Emergjente 112… kurse sot bëhet funksionalizimi i kësaj Qendre operative, sikurse Kosova ka edhe pesë qendra tjera…Operatorët këtu punojnë 24 orë dhe qytetarët të cilët kanë nevoja të ndryshme kanë mundësinë që të kërkojnë ndihmë për nevoja të ndryshme në këto qendra operative…Probleme specifike nuk kemi dhe nuk kemi pasur .. dhe po shihet se institucionet e Kosovës shtrihen në gjithë territorin e Kosovës…Deri tash ka qenë një bashkëpunim jashtëzakonisht i mirë edhe me veriun. Ju e patë se këtu ka marr pjesë edhe kryetari i komunës së Zveçanit, të komunave të ndryshme… dhe ne jemi të kënaqur me pjesëmarrjen e tyre”, ka thënë Hasani.

Ndërsa, Sërgjan Filipoviq, koordinator i AME-së për katër komunat veriore, tha se kjo qendër do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Filipoviq: Qendra është në shërbim të popullatës dhe punon 24 orë

 “Sot në Zveçan është hapur Qendra operative emergjente 112 për pjesën veriore të Kosovës. Kjo qendër është në shërbim të popullatës dhe punon 24 orë. Do të thotë të gjithë qytetarët të cilët kanë për të lajmëruar diçka për rrezikun mund ta thërrasin numrin 112 pa harxhuar, si nga telefonat celularë ashtu edhe nga telefonat fiks”, theksoi Filipoviq. 

Me këtë rast u falënderua misioni i UNDP-së për mbështetjen e vazhdueshme për projekte me rëndësi për qytetarët. Ndryshe, kjo ngjarje promovuese që nga viti 2009 është caktuar të shënohet më datën 11 shkurt në vendin tonë, ndërsa këtë vit mbahet në tre komuna, Prishtinë, Gjilan dhe Zveçan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat