Gashi me kritika të shumta ndaj UP-së, thotë se diploma s’vlen fare

Kosova

Gashi me kritika të shumta ndaj UP-së, thotë se diploma s’vlen fare

Më: 15 shkurt 2018 Në ora: 19:38
Shkelzen Gashi

Njohësi i çështjeve arsimore dhe publicisti, Shkelzen Gashi, filloi intervistën e tij me kritika të shumta ndaj Universitetit të sotëm të Prishtinës.

E ka ndarë atë në katër etapa, duke filluar me atë të viteve të 70-ta, kur punën e nisi rektori Dervish Rozhaja, e për të cilin tha se ishte i vetmi rektor që i dha UP-së merita të mëdha.

Etapën e viteve të 80-ta, pas demonstratave që më pas u dëbuan studentët, tha se ishte fillimi i rënies së UP-së. Vitet e 90-ta, ai tha se UP-ja “ishte edhe më keq”.

“Në vitet e fundit, është një gjendje edhe më e keqe se sa kur UP-ja ka funksionuar nëpër shtëpi”, tha Gashi.

Ka krahasuar rektorin e viteve të 70-ta, me Enver Hasanin, e ka përmendur për çka është akuzuar ky i fundit dhe për të gjitha plagjiaturat që po bëhen.

“Rektorët e tashëm janë larg Rozhajës. Fajtori kryesor për këtë gjendje është politika. Pra, kryesisht po them te PDK-ja, sepse e ka uzurpuar Universitetin e Prishtinës, QKUK-në e Televizionin Publik. E kanë marrë pushtetin dhe krejt Kosovën”, tha ai.

Ka thënë se këta liderë, e kanë sjellë UP-në në një gjendje shumë të mjerë.

Për diplomën e UP-së, Gashi thotë se sot nuk ka asnjë lloj vlere.

“Për besë nuk e shoh asnjëfarë vlere”, tha ai duke shtuar se UP-në, në ato pak kuadra që bëjnë punë të mira, e sheh si skenë mashtruese që i mashtrojnë të rinjtë të cilëve u japin premtime se do të bëhen juristë, mjekë, ekonomist etj.

“I pajisin me diplomë por jo me dije, nuk është diplomë por diçka që sjellë tek të rinjtë probleme të mëdha”, shtoi ai.

Ka thënë se në Juridik janë pranuar më shumë student sa së që ka nevojë ky fakultet, e këtë e bëjnë vetëm për t’i mashtruar se do të bëhen juristë, por në fund do të ndahen me pakënaqësi.

“UP-ja po ngarkohet me numër të madh të studentëve që nuk kanë nevojë”, tha ai.

Ka thënë se në UP ka mungesë të madhe të literaturës, e kjo ndikon negativisht shumë tek studentët, e si rrjedhojë pason edhe plagjiatura.

Gashi ka thënë se një numër i madh i profesorëve të UP-së janë avancuar në mënyrë të kundërligjshme, pasi ata as s’mund t’i justifikojnë titujt e tyre, e më pas ka dhënë një ide për të cilën thotë se do ta ndryshonte gjendjen e UP-së.

“Ideja jem ndoshta tingëllon radikale, por me pas Kosova një Qeveri si duhet dhe një Kuvend ashtu si duhet, ata në qershor duhet me mbyll UP-në, dhe me e hap në shtator me kritere krejt të reja. ¼ e UP-së është në rregull por ¾ nuk janë fare në rregull, madje as nuk dinë të shkruajnë në gjuhën shqipe”, tha ai.

Ka thënë se nëse Kosova do ndihmë nga SHBA-ja, atëherë le të kërkohet ndihmë së pari për arsimin, pasi sipas tij, aty është gjendja më e keqe.

“Po shpresoj që Qeveria në krye me Ramush Haradinajn dhe Kuvendi me Kadri Veselin, të bëjnë diçka të mirë për Kosovën. Le të bëjnë një marrëveshje me Ambasadën Amerikane dhe të sjellin të mira në arsim”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat