Vëllezërit Maloku dyshohet se u vranë nga hajnat

Kosova

Vëllezërit Maloku dyshohet se u vranë nga hajnat

Më: 9 mars 2018 Në ora: 16:21
Vëllezërit Maloku

Dyert e familjes Maloku nga Plloqica e Malishevës të premten ishin të hapura. Shumë qytetarët po shkonin aty për t’i ngushëlluar për vdekjen tragjike të dy vëllezërve të kësaj familje.

Ata u vranë nga shtënat me armë në oborrin e tyre pak pas mesnate.

Shani e Bahri Maloku, po qëndronin në shtëpinë e tyre bashkë me tre kushërinj, kur kishin dëgjuar disa zhurma në oborrin e tyre.

Të paktën ky është rrëfimi i familjarëve të të vrarëve të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerave.

Të dy vëllezërit pasi kishin dëgjuar zhurmën kishin dal bashkë me kushërinjtë e tyre ku kishin hasur në disa hajdut të cilëve u ishin vënë pas. Mirëpo, më pas janë dëgjuar të shtënë me armë zjarri, ku ishin plagosur dy vëllezërit Shani e Bahri Maloku.

Madje, Shani Maloku, ishte edhe pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Që të dy ishin dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku ishte konstatuar vdekja e njërit prej tyre, ndërsa, tjetri ishte nisur për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Mirëpo, rrugës për në QKUK, nga plagët e marra kishte ndërruar edhe vëllau tjetër.

Edhe Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje të shumta rreth këtij rasti. Bekim Avdiaj, shef i sektorit të hetimeve rajonale në Policinë e Gjakovës, ka konstatuar vrasjen e dy vëllezërve nga Plloqica e Malishevës, por tha se ende janë duke hetuar.

Avdiaj: Njësitet policore po e hetojnë rastin

“Sot me datën 9 mars 2018 rreth orës 01:10 minuta stacioni policor në Malishevë ka marrë një informatë se në fshatin Plloqicë ka të shtëna dhe të plagosur me armë zjarri. Menjëherë patrullat i janë përgjigjur thirrjeve dhe kanë dal në vendin e ngjarjes dhe aty është konfirmuar rasti me ç’rast dy vëllezër janë dërguar për trajtim në QKMF në Malishevë, ku njëri ka marrë udhëtimin në QKUK në Prishtinë. Sa i përket incidentit menjëherë i janë përgjigjur njësitet relevante dhe në bashkëpunim me prokurorin janë duke u marrë me hetimin e rastit”, tha Avdiaj.

Megjithatë, për këtë rast janë shoqëruar për intervistim dy persona, po nga i njëjti fshat.

Avdiaj: Ende s’kemi të ndaluar, vetëm kemi shoqëruar dy persona për intervistim

“Deri me tani janë intervistuar disa persona si dëshmitar, mirëpo kohën e fundit kemi shoqëruar edhe dy persona për intervistim dhe pas intervistës në bashkëpunim me prokurorin do të shohim për me tutje se si do të rrjedh çështja hetimore...Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të arrijmë deri të zbulueshmëria, gjegjësisht ndriçimi i këtij rasti. Ende nuk kemi persona të ndaluar, janë shoqëruar për intervistim dy persona. Po, nga i njëjti fshat”, theksoi ai.

Duke qenë hetimet ende në fazën e parë, Avdiaj tha se është herët të dihet motivi pse ka ardhur deri të kjo ngjarje.

Mësohet se të shoqëruarit në Polici janë kushërinj të të vrarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat