Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu sot mbajti mbledhjen e rregullt javore të ekzekutivit komunal.
Në këtë mbledhje u diskutuan një varg çështjesh, që kanë të bëjnë me menaxhimin sektorial, projektet që kanë nisur të zbatohen si dhe aktivitetet tjera në drejtoritë komunale.
Siç bëhet e ditur në kumtesën dërguar mediave, pikë e diskutimit në këtë mbledhje përveç përgatitjeve për seancën e Kuvendit të Komunës, me ç ‘rast u njoftua se janë bërë të gjitha përgatitjet, u diskutua edhe për gjendjen e rrugëve në territorin e Ferizajt pas reshjeve të fundit të borës.
“Në bazë të raportimeve nga terreni, gjendja e kalueshmërisë së rrugëve pas reshjeve të borës, është e mirë, e kalueshme dhe po mirëmbahet vazhdimisht nga operatorët ekonomik dhe KRM “Pastërtia”, thuhet aty ndër tjerash.
Tutje, Aliu ka njoftuar edhe për aksionin lidhur me lirimin e hapësirave publike, dhe ka vë në pah mbështetjen e marrë për projekte të rëndësishme nga Kryeministri Ramush Haradinaj.
“Gjithashtu, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu njoftoi për aksionin për lirimin e hapësirave publike, aktivitetin javor të zhvilluar, me ç ‘rast theksoi takimin me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është zotuar të mbështesë projektet e rëndësishme për Ferizajn dhe ofrimin e ndihmës qeveritare për tejkalimin e sfidave me të cilat po ballafaqohet aktualisht Komuna e Ferizajt”, thuhet në fund të komunikatës.