Avokati Tomë Gashi ka reaguar rreth arrestimit të gjashtë shtetasve turq në Kosovë, për t’u dëbuar në Turqi – ku ata akuzohen për gjoja terrorizëm, si njerëz të Fethullah Gylenit.
Gashi ka thënë se “Turqia po sillet sikur të jemi ne vend vasal i tyre ende”.
“Burrështetasit tanë nuk po e refuzojnë ndikimin e Erdoganit”, është shprehur Gashi në emisionin “DPT Te Fidani"/
Ai ka thënë se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë presion direkt mbi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe mbi ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Gashi ka kujtuar se Thaçi e Pacolli pak muaj më parë e kanë takuar bashkë udhëheqësin turk, në Nju-Jork.
Sipas Gashit, shtetasit turq janë rrëmbyer sot në Kosovë, pasi Turqia më parë dështoi të sigurojë ekstradimin e disa shtetasve të saj, me akuza të njëjta.
“Meqë u dështoi procedura e ekstradimit në mënyrë të ligjshme, këtë herë kanë vendosur që ta bëjnë në mënyrë klandestine, duke i kidnapuar dhe duke i dërguar atje pa asnjë të drejtë ligjore”, ka thënë Gashi.