Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka pritur për vizitë zyrtare dy ditore Seyit Ahmet Bas, President i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) dhe Institucionit Suprem të Auditimit të Turqisë, me bashkëpunëtorë.
Gjatë takimit bilateral është biseduar për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit që u formalizua me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit nga krerët e dy institucioneve.
Me rastin e nënshkrimit të Memorandumit, Osmani theksoi se objektivat kryesore të bashkëpunimit janë zbatimi i plotë i standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorin publik dhe praktikave të mira ndërkombëtare dhe shkëmbimi i përvojave në ngritjen e kapaciteteve institucionale, avancimin e metodologjisë dhe procedurave të auditimit të jashtëm.
Ahmet Bas, ka siguruar Auditorin e Përgjithshëm për përkrahjen profesionale si në kuadër të kornizave të Memorandumit, ashtu edhe në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përkrahjen për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës në integrimin në organizmat rajonale dhe ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit.