Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i dorëzoi sot kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK) Pleurat Sejdiu vendimin për bartjen e kompetencave për licencimin, ri-licencimin e profesionistëve shëndetësor vendor dhe edukimin e vazhdueshëm mjekësor nga MSh te OMK.
Ai tha se Ministria e Shëndetësisë do ta vazhdojë me bartjen e kompetencave të tjera tek Oda e Mjekëve, me qëllim të rritjes së transparencës dhe luftimit të deformiteteve të ndryshme në sektor.
“Kjo është një ditë e shënuar e cila tregon se Oda e Mjekëve të Kosovës ka krijuar një dinamizëm të ri të punës dhe me trupat e saj do të jetë pjesë e reformës shëndetësore, duke u bërë bartëse e disa ndryshimeve të rëndësishme”, tha ministri Ismaili.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se me bartjen e këtyre kompetencave po avancohet roli i mjekëve në sistemin shëndetësor, ndërsa u zotua se do të mbështetë ndryshimet në shëndetësinë kosovare përmes ushtrimit me përgjegjësi të kompetencave të veta.
Ndryshe, në ceremoninë e bartjes së këtyre kompetencave, në mënyrë simbolike u ndanë edhe kartelat e para të anëtarësisë për anëtarë të Odës së Mjekëve, duke përfshirë disa mjekë të gjeneratave të vjetra, për mjeken më të re në data bazën e anëtarësisë së OMK-së, mjekë nga FSK dhe Policia e Kosovës.
Po ashtu, Oda e Mjekëve të Kosovës, prezantoi zyrtarisht ueb faqen e saj zyrtare.