Problemet në pikat kufitare me Serbinë, Lekaj kërkon ndihmën e KE-së

Kosova

Problemet në pikat kufitare me Serbinë, Lekaj kërkon ndihmën e KE-së

Më: 26 prill 2018 Në ora: 17:11
Pal Lekaj ka kërkuar nga përfaqësuesja e Komisionit Evropian Alain Barron që të ketë përkrahje për tejkalimin e problemeve në fushën e transportit

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka kërkuar nga përfaqësuesja e Komisionit Evropian Alain Barron që të ketë përkrahje për tejkalimin e problemeve në fushën e transportit rrugor dhe hekurudhor në raport me Beogradin.

Në ditën e dytë të punimeve që po zhvillohen në kuadër të konferencës për TEN-T, që po mbahet në Lubjanë të Sllovenisë,  ministri Lekaj është takuar me përfaqësuesit e Bankës Botërore Baher El-Hifnawi, udhëheqës ekonomik për Transport, Gaviria, menaxher për Evropë dhe Azinë Qendrore, me të cilët ka biseduar për projektet e infrastrukturës rrugore dhe mënyrat e financimit të tyre.

Veçanërisht gjatë bisedës me përfaqësuesit e BB-së dhe Barron, është biseduar për vazhdimin segmentit të rrugës R7 në drejtim të Merdares për të cilin projekt Ministria e Infrastrukturës ka përfunduar studimin e fizibilitetit.

Ministri Lekaj, po gjatë këtyre punimeve të konferencës për TEN-T, është takuar edhe me Barret nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me të cilën ka diskutuar për vazhdimin e projekteve infrastrukturore të financuara nga BERZH-i.

Ai ka thënë se Ministria e Infrastrukturës do të fillojë shumë shpejt projektin Kijevë -Zahaq që është financim përmes kredisë së BERZH-it, Bankës Investive Evropiane dhe Buxhetit të Kosovës. 

Lekaj duke e falënderuar Barret për bashkëpunimin e institucionit që përfaqëson, e ka garantuar atë se nuk do të lejohet, që për shkak të neglizhencës njerëzore të ketë prolongime dhe pengesa në materializimin e kredive që janë nënshkruar dhe në zbatimin e projekteve infrastrukturore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat