Nisma e të Rinjve mban aksion simbolik për Personat e Pagjetur

Kosova

Nisma e të Rinjve mban aksion simbolik për Personat e Pagjetur

Më: 27 prill 2018 Në ora: 07:01
Personat e zhdukur

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë organizon aksionin simbolik me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur i cili do të realizohet sot në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, 18 vite më parë, fati i mbi 1600 personave të cilët konsiderohen si të pagjetur ende nuk trajtohet me seriozitet nga Qeveria e Kosovës. 

Kësisoj, familjarët e viktimave dhe shoqëria kosovare vazhdon të përballet me mohimin e së drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.

Fatkeqësisht në Kosovë nuk u kushtohet rëndësi e njejtë viktimave, pa dallim etnie, prandaj, ne organizojmë aktivitete për këtë temë dy herë në vit; në Ditën Kombëtare për të Pagjturit dhe në Ditën Ndërkombëtare e Zhdukjeve të Dhunshme. Që nga viti 2008, YIHR KS është organizata e vetme rinore që në aktivitetet e veta e ngrit zërin edhe për viktimat jo-shqiptare të luftës.

Përkundër kërkesave të shoqërisë dhe familjarëve të personave të pagjetur, Qeveria e Kosovës u ka kushtuar rëndësi të veçantë temave të tjera por ka dështuar të fus këtë temë në dialogun e Brukselit, për shkak të mosinteresimit të palës serbe.

"Ne besojmë që shoqëria kosovare nuk do të mund të arrijë tek një paqe e qëndrueshme dhe pajtim pa u adresuar çështjet që lidhen me luftën, përfshirë fatin e personave të pagjetur", thekon Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut. 

Kjo njëherit sipas tyre është vërejtje për të gjitha Qeveritë e pasluftës, të cilat kanë neglizhuar këtë çështje. 

"Që nga viti 2008, kemi kërkuar përkushtim nga faktorët relevant dhe angazhim më të madh për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ndonëse kemi hasur në vesh të shurdhër, kurse familjarët janë injoruar përmes deklaratave shterpe nga qeveritarët duke e trajtuar këtë çështje si krejt periferike", thot me tutje Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut . YIHR KS, nuk do të ndalet së përkrahuri familjarët e personave të pagjetur,  dhe përmes aksioneve simbolike do të mbaj aktuale këtë temë derisa ajo të trajtohet me seriozitetin e duhur. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat