Një delegacion i SBASHK-ut, i kryesuar nga kryetari Rraahman Jasharaj është pritur sot nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Siç njofton SBASHK-u, në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministrat Mahir Jagcilar e Shyqiri Bytyqi.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut i kanë shprehur edhe një herë kryeministrit Haradinaj dhe kabinetit të tij kundërshtimin e bazuar të punëtorëve të arsimit ligur me Ligjin e pagave.
“Edhe përkundër angazhimeve tona të vazhdueshme dhe prezantimit të argumenteve tona të bazuara në takimet me Ministrin Jagcilar dhe Bytyqi, versioni i votuar i Ligjit të pagave në takimin e Qeverisë më 3 shtator nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e bazuara të SBASHK-ut kështu që ky ligj është degradues për tërë sistemin arsimor”, është shprehur Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj duke kërkuar që kryeministri të bëjë hapa konkret për realizimin e kërkesës së SBASHK-ut për korrigjim të këtij Projektligji, kurse menaxheri për financa e administratë, Ymer Ymeri është ndalur në shembuj konkret me të cilat ka dëshmuar edhe para kryeministrit se Projektligji i pagave i ka radhitur gjithë të punësuarit në arsim në një pozitë tepër të ulët duke kërkuar në emër të anëtarësisë së SBASHK-ut që ky projektligj të korrigjohet në mënyrë që punëtorët e arsimit të kenë vend meritor. Kryeministri Haradinaj ka deklaruar se shqetësimet e ngritura nga SBASHK në këtë takim do të shqyrtohen me kujdes dhe se ai dhe Qeveria do t’i rekomandojnë Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media që duke e analizuar këtë projektligj të bëjnë përmirësime në mënyrë që pozita e punëtorëve të arsimit pa tjetër të avancohet. Kryeministri Haradinaj është shprehur se Qeveria respekton punën e përkushtuar të punëtorëve të arsimit duke kujtuar edhe angazhimet dhe votimin e Projektligjit për statutin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta.