Arrestohet një i dyshuar për vjedhje në Depon Qendrore të Barnave

Kronikë e zezë

Arrestohet një i dyshuar për vjedhje në Depon Qendrore të Barnave

Më: 11 nëntor 2022 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë njoftoi dje se janë vjedhur medikamente, karrige e gjësende tjera në Depon Qendrore të Barnave.

Në njoftim u tha se me datën 07.11.2022, në Depon Qendrore të Barnave është vërejtur mungesa e disa karrigeve dhe menjëherë kishte filluar verifikimi i produkteve të barnave, ku është vërejtur mungesë disa llojeve të tyre.

Menjëherë është njoftuar Polica e Kosovës.

E kjo e fundit ka arritur të arrestojë një të dyshuar deri më tani për këtë rast.

“Lidhur me rastin e vjedhjes së rëndë në një depo në Rr. ‘Driton Hoxha’, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person i dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ‘Vjedhja e rende’”, ka konfirmuar për Klankosova.tv Prokuroria Themelore e Kosovës.

Po ashtu është thënë se për të dyshuarin është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndërkaq, në njoftimin e MSH-së të ditës së djeshme, u tha se gjatë verifikimit në depo, ku është vërejtur mungesë e një sasie të Methadonit sirup, sasi prej 90 copë, ndërsa pas njoftimit të Policisë, dhe në prezencë të tyre, është vërejtur mungesë e sasisë edhe nga produkti Tramadol ampula dhe Morfin ampula.

“Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është kontrolluar hapësira e Depos Qendrore të Barnave dhe në fund të Depos është vërejtur se është bërë thyerje e murit nga podrumet e Pallatit të ‘Rilindjes’, ku sigurimi fizik i depos nuk ka qasje”, njoftoi dje MSH-ja.

Bazuar në Sistemin e Menaxhimit te Stokut Farmaceutik (SMSF), Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar se mungojnë sasi të produkteve si në vijim: Methadon sol 100ml, 90 shishe, Tramadol 50 mg, 541 ampula dhe Morphine 10mg/ml, 280 ampula, ku vlera totale e produkteve që mungojnë është 1105.92€. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat