Nuk e deklaroi pasurinë me kohë, 200 euro gjobë për drejtorin e Klinikës së Ortopedisë në QKUK

Kronikë e zezë

Nuk e deklaroi pasurinë me kohë, 200 euro gjobë për drejtorin e Klinikës së Ortopedisë në QKUK

Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

Pas pranimit të fajësisë, drejtori i Klinikës së Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore, pranë QKUK-së Gani Jashanica është dënuar me 200 euro, i akuzuar se nuk deklaroi pasurinë me kohë.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të hënën gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Jashanica i shqiptohet dënim me gjobë në vlerë prej 200 euro, të cilin dënim mund ta paguajë me 3 këste.

Në rast se i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë brenda afatit ligjor, atëherë ky dënim do t’i të zëvendësohet me dënim me burgim.

I njëjti është i obliguar që të paguaj edhe 20 euro për shpenzimet gjyqësore, si dhe 20 euro tjera në emër të fondit të viktimave të krimit.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur në po të njëjtën ditë, i akuzuari Jashanica ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.“Normal që e ndjej vetën fajtor, nuk do të vonohem prapë”, ka deklaruar Jashanica, duke theksuar se është hera e parë që është drejtor dhe se nuk i ka ditur të drejtat dhe detyrimet.

Sipas aktakuzës, së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e cila rezulton të jetë përpiluar më 5 tetor 2022, Gani Jashanica akuzohej për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Aktakuza thotë se i pandehuri Jashanica, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, drejtor i Klinikës së Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore, pranë QKUK-së, me qëllim ka vepruar në kundërshtim me nenin 5, paragrafin 1 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejadhrjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të Gjithë Personat Zyrtarë, në atë mënyrë që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar dhe i njoftuar me kohë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion dhe Zyrtarit Kontaktues pranë QKUK-së, për të bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare në afatin e rregullt ligjor nga 1 deri me 31 mars 2021.

Tutje, thuhet se i njëjti i vetëdijshëm për pasojat e mos deklarimit të pasurisë me kohë, këtë obligim e ka kryer pas kalimit të këtij afati, më saktësisht me 13 prill 2022.

Me këtë, i akuzuari Jashanica ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 par.1 të KPRK-së. / BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat