800 euro gjobë ndaj të shtetasit serb, pranoi se i ofroi 10 euro ryshfet zyrtarit policor

Kronikë e zezë

800 euro gjobë ndaj të shtetasit serb, pranoi se i ofroi 10 euro ryshfet zyrtarit policor

Më: 28 prill 2023 Në ora: 21:30
Foto ilustrim

I akuzuari Radosh Vuliçeviq (shtetas serb), është dënuar 800 euro gjobë pasi e ka pranuar se i ka dhënë ryshfet 10 euro zyrtarit policor në Ferizaj.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Vuliçeviq, u bë të premten në Gjykatën Themelore të Ferizajt, nga gjyqtarja e çështjes Fitore Daci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Vuliçeviq, për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” u dënua me dënim burgimi prej 4 muajve, i cili dënim në bazë të nenit 44 të Kodit Penal, me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua me gjobë prej 500 euro.

Po ashtu, sipas aktgjykimit, i akuzuari Vuliçeviq u dënua me gjobë prej 300 euro.

I njëjti është obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale në shumë prej 30 euro dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërsa, i është konfiskuar në mënyrë të përhershme kartëmonedha në vlerë prej 10 eurove.

Paraprakisht, i akuzuari e pranoi fajësinë, duke thënë se e ka të qartë akuzën e prokurorit Valdet Avdiu.

“E pranoj më vjen keq, ato 10 euro ia kam dhënë në shenjë respekti për kafe, pendohem që kam vepruar në këtë mënyrë, por ne nuk jemi kuptuar për shkak të gjuhës. Është hera e parë që bie ndesh me ligjin, i propozoj gjykatës të më shqiptojë një dënim sa më të butë” ka thënë i akuzuari Vuliçeviq.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Radosh Vuliçeviq, më 23 shtator 2021, në rrugën “Driton Selmani”, në Ferizaj, përderisa ishte duke vozitur kamionin transportues, ishte ndalur nga policia për shkak të përdorimit të telefonit, ndërsa i pandehuri në mënyrë të drejtpërdrejt i kishte ofruar zyrtarit policor një kartëmonedhë  prej 10 euro, në mënyre që zyrtari policor të mos vepronte në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat