E rëndë: 15-vjeçarja në Kaçanik gjendet e ngujuar në një banesë, dyshohet se u dhunua seksualisht

Kronikë e zezë

E rëndë: 15-vjeçarja në Kaçanik gjendet e ngujuar në një banesë, dyshohet se u dhunua seksualisht

Më: 9 janar 2024 Në ora: 20:02
Ilustrim

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e mitura, ndërsa shpesh të dyshuar, janë persona të moshës madhore, të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, i keqpërdorin seksualisht.

Një rast i rëndë ka ndodhur në Kaçanik, ku një vajzë e mitur dyshohet se është dhunuar seksualisht dhe e njëjta më pas ka mbetur e mbyllur në një banesë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se mëngjesin e sotëm, e mitura është gjetur e ngujuar në një banesë. Njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku me anë të përdorimit të forcës kanë arritur që të depërtojnë brenda hapësirës ku ndodhej vajza dhe e njëjta është nxjerrë jashtë.

E mitura është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë dëshminë e saj lidhur me rastin.

Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, 15-vjeçarja ka deklaruar se ka qenë e mbyllur në atë banesë që nga mbrëmë, pasi ishte takuar me një person të moshës madhore, e me të cilin dyshohet se ka kryer edhe marrëdhënie seksuale me pëlqimin e saj.

22-vjeçari është shoqëruar po ashtu në Polici, ku gjatë intervistimit nga hetuesit policorë ka deklaruar se me të miturën janë takuar në orët e para të mëngjesit dhe më pas me pëlqimin e të dyve kanë vazhduar në banesën në fjalë, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale.

Bazuar në dëshminë e të dyshuarit, ai e ka kyçur me çelës banesën ku ndodhej e mitura me kërkesën e saj, pasi sipas tij, ajo donte të pushonte.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunim’ dhe ‘Privim i kundërligjshëm nga liria’.

Kujtojmë që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me persona që janë nën moshën 16-vjeçare, kryejnë vepër penale dhe mund të dënohen me burgim prej 5 deri në 20 vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat