Këtë vit 54 të vdekur në aksidente

Kronikë e zezë

Këtë vit 54 të vdekur në aksidente

Më: 6 gusht 2013 Në ora: 12:00

Aksidentet në trafik, këtë vit kanë shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Derisa në gjashtë mujorin e parë të vitit të kaluar kishin humbur jetën 42 persona, këtë vit numri ka shkuar në 54, prej tyre 22 këmbësor. Përveç shtimit të aksidenteve me pasojë vdekjen, rritje ka edhe te aksidentet me persona të lënduar dhe dëme materiale.

Gjendja në komunikacionin rrugor në Kosovë është shqetësuese. Policia e Kosovës thotë se, për çdo vit jetën humbin rreth 100 qytetarë, përderisa mija të tjerë marrin lëndime.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka deklaruar se, tre mujori i dytë i këtij viti ka shënuar një ngritje të lehtë të aksidenteve, si të atyre me pasoja fatale, po ashtu edhe të atyre me lëndime.

“Gjashtë mujori total i këtij viti ka një ngritje të lehtë të aksidenteve me fatalitet për mbi 16 për qind. Po ashtu, ka një ngritje të lehtë të aksidenteve me lëndime për mbi 18 për qind dhe në total si numër i përgjithshëm i aksidenteve, duke përfshirë ato me pasoja fatale, me lëndime, me dëme materiale dhe ato goditë e ikë, ka një ngritje të lehtë prej 3.11 për qind”, është shprehur ai.

Raporti analitik i Divizionit të Komunikacionit Rrugor ka nxjerrë në pah se kryesisht shkaktarët kontribuues të shkaktimit të aksidenteve janë tejkalimi i shpejtësisë, mos përshtatja e kushteve të rrugës, mos mbajtja e distancës, e faktorë të tjerë.

Policia e Kosovës për këtë vit ka paralajmëruar një mori aktivitetesh policore me qëllim reduktimin e aksidenteve në trafik.

“Aktivitetet policore do të realizohen në formë të pikave kontrolluese, patrullimeve mobile dhe patrullimeve në këmbë në mënyrë që të arrihet deri tek qëllimi final për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor si dhe në respektimin e ligjit për sigurinë e komunikacionit rrugor”, ka deklaruar Kelani.

Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ndihmë emergjente kanë kërkuar 2 mijë e 748 të lënduar nga aksidentet në komunikacionin rrugor.

Basri Lenjani, drejtor i Klinikes Emergjente, ka thënë se, nga personat e lënduar në aksidente, në Emergjencë kanë ndërruar jetë 16 veta.

“Gjatë verës kemi një rritje të aksidenteve në komunikacion, ku vetëm për periudhën janar- qershor, kemi pasur 2 mijë e 748 të lënduar, prej tyre 16 të vdekur në Kliniken Emergjenti”, ka deklaruar dr.Lenjani.
Kjo, sipas tij, ndodhë si pasojë e mos respektimit të shenjave të komunikacionit, ndikimi i temperaturave të larta, ngasja e shpejtë, rrugët jo mirë të rregulluara, përdorimi i mjeteve stimuluese, alkoolit etj.

I pari i Emergjencës ka thënë se, të gjitha rastet me rrezik jete, si për sëmundje, lëndime dhe helmime, janë prioritet për monitorim, observim, diagnostikim, trajtim dhe sistemim në Klinikat gjegjëse të QKUK-së. Dr.Lenjani tha se, Klinika Emergjente ka staf të mjaftueshëm për menaxhimin e të gjitha rasteve emergjente.

Sa i përket kohës dhe ditëve që është nxjerrë nga analiza e mirëfilltë e policisë, del se dita me më shumë aksidente është kryesisht dita e hënë, në intervalin kohor prej 14:00 deri në orën 18:00, ku vetëm në rajonin e Prishtinës në këtë vit janë regjistruar 640 aksidente trafiku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat