Vritet në pritë kapoja i ‘Gjepalit’, Astrit Gjepali u ekzekutua bashkë me kunatin e tij

Kronikë e zezë

Vritet në pritë kapoja i ‘Gjepalit’, Astrit Gjepali u ekzekutua bashkë me kunatin e tij

Më: 16 janar 2014 Në ora: 16:28

Kreu i bandës së njohur të Gjepalit të Durrësit është ekzekutuar sëbashku me kunatin e tij, ndërsa shijonte minutat e fundit të lejes shpërblyese nga burgu i Peqinit.
Një atentat i denjë për skenarë hollivudianë, ku persona të paidentifikuar ende, i kanë zënë pritë makinës ku udhëtonte drejt qelisë i dënuari me 25 vjet burg për 5 vrasje, Astrit Gjepali.

Autorët e atentatit kanë hapur zjarr ndaj makinës, duke lënë të vrarë edhe shtetasin Halil Fici, kunati i të dënuarit Gjepali.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 në vendin e quajtur Bishti i Zhurit në afërsi të qytetit të Rrogozhinës, ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe kunati tjetër i Gjepalit, shtetasi Ilir Sulkja që ndodhej sëbashku me dy viktimat në mjet, në pjesën e pasme të tij si dhe një kalimtar i rastit i identifikuar si shtetasi Mariglen Balliu, të cilët po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat të shumta policie, ku janë ngritur edhe pistat e para të hetimit. Hakmarrja është pista kryesore që po ndjek grupi hetimor, ku e kaluara aspak e pastër e viktimës Gjepali me 5 vrasje në kurriz rëndon shumë.

Mendohet të ketë qenë një plan i mirëorganizuar, pasi automjeti që ka kryer atentatin po i priste dhe menjëherë i ka prerë rrugën. Pas kësaj makina që udhëtonin viktimat ka rënë në një kanal, gjë që e ka bërë më të lehtë punën për atentatorët.Policia ndërkohë ka ngritur disa postoblloqe në pikat kryesore për të rënë në gjurmët e autorëve. Dëshmitarë okularë tregojnë ngjarjen.
Ndërkohë pak minuta pas ngjarjes, policia thotë se ka gjetur të djegur makinën e autorëve të vrasjes së dyfishtë. Makina e autorëve është gjetur në rrugën e stacionit të pompimit të ujit të komunës Dushk në Lushnje. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie.
Banda e Gjepalit ishte një nga më të egrat e viteve ‘97-‘98, ku vetëm në harkun kohor të 24 orëve kanë ekzekutuar 5 persona dhe kanë plagosur disa të tjerë dhe truri i gjithë këtyre ngjarjeve mendohet se është viktima Astrit Gjepali. Ndërsa mbi Gjepalin rëndon edhe një vrasje e ndodhur në Zvicër në vitin 1993.

Anëtarët e grupit

Astrit Gjepali Dënuar me 25 vjet burg
Naim Qerimi Dënuar me 25 vjet burg
Mirush Jareci Dënuar me 20 vjet burg
Bashkim Haxhia Dënuar me 20 vjet burg

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat