Telefoni i çekëve u shit për 500 lekë, fotot e tyre zbuluan vrasësin

Kronikë e zezë

Telefoni i çekëve u shit për 500 lekë, fotot e tyre zbuluan vrasësin

Më: 9 korrik 2015 Në ora: 08:32

Zbardhen detajet e plota sesi u zbulua autori i vrasjes së dy turistëve çekë. Mjacaj pasi kreu vrasjen, telefonin e grabitur e shiti, duke zbuluar veten për 5 mijë lekë të vjetra. Blerësi tregon në polici për telefonin se sapo e hapi, pa në të fotot personale të dy turistëve të vrarë. Ja detajet e plota të hetimit. Gjykata vendos arrest me burg pa afat për Sokol Mjacajn, ai braktiset nga familjarët, buzëqesh para kamerave.

Pritej që ai të mbetej pas hekurave deri në vendimin përfundimtar dhe ashtu ndodhi. I riu Sokol Mjacaj që dyshohet për vrasjen e dy turistëve çekë pesë ditë më parë, ka dalë dje para gjykatës për masën e sigurisë dhe për të u caktua masa “arrest me burg pa afat”. Ardhja e tij në gjykatë u shoqërua nga prania e madhe e forcave të policisë, të cilët për arsye sigurie i kishin veshur edhe një jelek antiplumb të pandehurit. Ai ishte mjaft i qetë, madje në një moment nuk e pati mendjen nga gjykata, por u kthye nga kamerat dhe gjeti “kohë” për buzëqeshje.

Prokuroria kërkoi për të masën e sigurisë në “arrest me burg pa afat”, duke e konsideruar si të ligjshëm arrestimin e tij dhe u shpreh se nga dëshmia e të pandehurit, por edhe prova shkencore vërtetohet se 20-vjeçari është autor i vrasjes së dy turistëve çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova. Tronditëse kanë qenë edhe detajet për faktet e reja të prokurorisë. “Me datë 04.07.2015, është marrë informacion se një person i dyshuar i ka shitur një aparat celular të viktimave shtetasit A.D.

Për këtë arsye është proceduar menjëherë me marrjen në pyetje të shtetasit A.D, i cili në deklarimet e tij pohon se ditën në fjalë, rreth orës 10.00, tek lokali ku ai punon ka shkuar shtetasi Sokol Mjacaj, të cilin e njeh pasi ka jetuar më parë tek një e afërme e tij, e cila është komshi me shtëpinë e tij. Ky shtetas është ulur në tavolinë, ka porositur një kafe dhe më pas i është afruar deklaruesit te tavolina e kompjuterit dhe i ka thënë nëse donte të blinte një celular. Pasi e ka parë celularin, shtetasi Sokol Mjacaj i ka kërkuar 5000 lekë për të, por deklaruesi i ka thënë që celulari ishte i thyer dhe nuk kushtonte aq. Më pas Sokoli ka kërkuar që t’i jepte sa lekë të donte, e si rrjedhim i ka dhënë fillimisht 500 lekë, duke i thënë se në rast se hapej si telefon dhe rregullohej, do t’i jepte dhe 1000 të tjera.

Pasi është larguar ky shtetas, ai ka ndezur telefonin dhe ka parë se në ekran ishte fotografia e shtetasve çekë, të cilët ishin vrarë një ditë më parë në rrugën e Prekalit, fotot e të cilëve i kishte parë në internet dhe ka dyshuar se Sokoli mund të ishte autori i ngjarjes, duke e njohur këtë shtetas dhe faktin se ai ka qenë në burg disa herë”. Në këtë mënyrë, individi që çoi policinë dhe prokurorinë në rrugën e duhur është një i ri, i cili nuk ngurroi aspak që të bashkëpunojë me drejtësinë. Fotot e gjetura në celularin që sapo kish hapur e kanë bërë të dyshojë se Mjacaj ishte autori dhe tregoi në polici kohën kur mori telefonin, personin që ia kishte dhënë dhe shumën e parave që pagoi për të.

Teksa dy viktimat, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, përkatësisht 27 dhe 36 vjeç, gjendeshin në morg të ekzekutuar me plumba pas koke, autori i dyshuar, Sokol Mjacaj bënte pazar për celularin e marrë në automjetin e personave që ekzekutoi. Dhe duket se ai 5 mijë-lekësh i vjetër i “fituar” tashmë e ka çuar pas hekurave dhe rrezikon burgimin e përjetshëm. Ndërsa sipas prokurorisë mësohet se “nga këqyrja e vendit të ngjarjes, brenda në mjetin e dy turistëve të vrarë, pas sediljeve të para të mjetit janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, me qytë metalike, me numër 20xxxxx, me rrip, me krehër të vendosur në të, e cila pas kontrollit ka rezultuar me fishek në fole, si dhe, rreth 20 m larg vendit të ngjarjes, jashtë mjetit janë gjetur një karikator me fishekë, dy gëzhoja dhe një fishek”.

Gjithashtu veç të tjerash autori ka lënë edhe pesë gjurmë papilare (gjurmë gishtërinjsh dhe pëllëmbë), të cilat janë fiksuar mbi sipërfaqen e xhamit të pasmë të mjetit, në pjesën e bagazhit, në krahun e djathtë të tij, si dhe një gjurmë tjetër papilare mbi sipërfaqen e bagazhit, sipër mjetit. Teksa prokurori tregonte gjithë dinamikën e ngjarjes, i pandehuri Mjacaj nuk ka reaguar, por mësohet se ishte krejt i qetë. Ndërsa avokati mbrojtës, i caktuar kryesisht nga shteti, u shpreh se e linte në dorë të gjykatës verdiktin për masën e sigurisë. Një hollësi që ra në sy gjatë zhvillimit të seancës për masën e sigurisë ishte mungesa totale e të afërmve të 20-vjeçarit Mjacaj në sallën e gjyqit apo jashtë ambienteve të gjykatës. Pas marrjes së gjeneraliteteve të Sokol Mjacajt, për arsye hetimi seanca e caktimit të masës së sigurisë ka vijuar me dyer të mbyllura. Pas caktimit të masës së sigurisë Mjacaj është përcjellë për në burgun e Shën Kollit nën masa të forta sigurie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat