Dëshmia e akullte i vrasësit të çekëve: Vrau, piu kafe i qetë, e bëri pazar për celular (Video)

Kronikë e zezë

Dëshmia e akullte i vrasësit të çekëve: Vrau, piu kafe i qetë, e bëri pazar për celular (Video)

Më: 9 korrik 2015 Në ora: 22:50

Gjakftohtësia e 20-vjeçarit Sokol Mjacaj i ka lënë pa fjalë hetuesit të cilët kanë dëgjuar rrëfimin e qetë të të riut, i cili pa iu dridhur qerpiku ka treguar çdo moment nga ekzekutimi i çiftit të turistëve çekë, Michal Svatos dhe Anna Kosinova, mbrëmjen e 3 korrikut në fshatin Prekal të Shkodrës.

Pas vrasjes Sokol Mjacaj ka tentuar të bëjë mbrëmjen e zakonshme të tij dhe është shfaqur i qetë në lokalin e një të njohuri të tij në fshatin Grudë e Re. Ndërsa ka konsumuar kafe, është shfaqur majftë i ftohtë duke mos lënë asnjë përshtypje se vetëm një ditë më parë kishte marrë dy jetë.

Këto detaje reflektohen në dëshminë e plotë që Mjacaj i ka dhënë hetuesve, dëshmi të cilën A1 Report e siguron ekskluzivisht. Në zbardhjen e vrasjes së dyfishtë që zgjoi revoltën e opinionit publik shqiptar, ka ndihmuar një i ri me inicialet A.D, pronari i lokalit ku Mjacaj zgjodhi të pushojë disa orë pas krimit makabër.

Majcaj pranon se grabitjen e kish planifikuar më parë dhe mesditën e 3 korrikut ka dalë në rrugë duke u hequr si pasagjer, ndërsa A.D dëshmon se Mjacaj i ka shitur telefonin që i vodhi çekëve pas vrasjes, për vetëm 500 lekë.

“Rreth orës 16:00 të pasdites, pasi mbarova disa punë në shtëpi, vendosa të dalë në rrugë për të grabitur ndonjë turist që frekuenton zonën. Mora automatikun me dy karikatorë, e futa në një çantë sportive dhe dola në rrugë në vendin e quajtur Lotaj. Aty prita pak, deri sa erdhi një fuoristradë me targa të huaja. I bëra shenjtë të ndalonte. Ndaloi dhe i kërkova të më merrnin si pasagjerë. Komunikova me ta disa fjalë anglisht dhe u morëm vesh me shenja. Michal më tha se nuk kishin vend në makinë dhe tentoi të largohej, por nxora automatikun dhe i kërcënova duke qëlluar disa herë në ajër. Më morën në makinë dhe gjatë gjithë kohës e kam mbajtur automatikun pas kokës së shoferit, me fishekë në gojë, por sapo u afruam tek vendi i quajtur Mes-Lum, shoferi tentoi të më marr armën dhe e për këtë arsye e qëllova. Më pas qëllova dhe shoqëruesen e tij. Mjeti humbi kontrollin u batua dhe ndaj e lashë automatikun në makinë dhe ika për tu fshehur”, ka thënë Mjacaj.

Referuar lokalizimit të Mjacajt në fshatin Grud e Re ku ishte fshehur pas krimit, hetuesit janë ndihmuar nga dëshmia e të riut me iniciale A.D., të cilit 20-vjeçari i kish shitur telefonin e turistëve çek.

Në dëshminë e tij A.D shprehet: “Më datë 4 rreth orës 10:00 të mëngjesit, në lokal më erdhi Sokol Mjacaj. Atë e njihja pasi kish jetuar disa kohë më parë tek të afërmit e mi. Ai u ul në lokal, piu një kafe dhe mu afrua duke më thënë: e do këtë telefonin për 5000 mijë lekë. I thashë: Sokol telefoni është i thyer dhe nuk kushton 5000 mijë lekë. Më tha: më jep sa të duash. I dhashë 500 lekë me kushtin se po të rregullohej si telefon do t’i jepja dhe 1000 lekë”.

Më tej sqaron A.D: “Sapo ndeza telefonin pashë foton e turistëve çekë në ekran. Dyshova se Mjacaj mund t’i ketë vrarë duke ditur se ai ka qenë e më parë i dënuar. E njoftova menjëherë Policinë”.

Arratia e Mjacajt zgjati për afro 48 orë, ndërsa për kapjen e tij u angazhuan mbi 400 forca policie të cilat arritën ta kapnin atë të fshehur në një banesë në fshatin Grudë e Re, pasditen ë 5 korrikut. /Shqiptarja/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat