Një tjetër krim brenda familjes ndodhi dje paradite në Shkodër. Vëllai ka marrë një armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të vëllait të tij dhe kunatës, duke i lënë të dy të plagosur. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë bërë të ditur se ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 11:40 të paradites së djeshme në fshatin Ndërlysë, lagja “Mushaj”, në Shkodër. Sipas uniformave blu shtetasi Kont Ballza (në foto), 48 vjeç dhe gruaja e tij Drande Ballza, 41 vjeçe, janë plagosur me armë zjarri nga vëllai i Kontit, Lekë Ballza 50 vjeç. Nga të dhënat që vijnë nga banorë të fshatit të largët malor, mësohet se pas një konflikti në familje Lekë Ballza ka qëlluar me automatik vëllanë e tij Kont Ballza dhe gruan e tij.
Dy bashkëshortët kanë mbetur të plagosur në gjymtyrët e poshtme. Menjëherë ata janë transportuar me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin edhe një mjekim sa më të specializuar. Sipas banorëve të fshatit Ndërlysë, autori i ngjarjes, 50-vjeçari Lekë Ballza, njihet si person me probleme mendore por nuk dihet nëse ai ka qenë i trajtuar me ndihmë mjekësore për këto shqetësime. Pasi ka qëlluar mbi dy bashkëshortët Kont dhe Drande Ballza, autori i dyshuar ka hedhur armën kallashnikov dhe është larguar duke u fshehur, ndërsa është vetëdorëzuar në policia disa orë pasi plagosi vëllanë dhe gruan e tij.