Magazina ruhej nga persona të armatosur, ja sa paguheshin punëtorët e kanabisit

Kronikë e zezë

Magazina ruhej nga persona të armatosur, ja sa paguheshin punëtorët e kanabisit

Më: 26 shtator 2016 Në ora: 16:34
Laboratori

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Julian Damën dhe Altin Lleshin, të arrestuar si të dyshuar se kanë lidhje me magazinën e kanabisit, gjetur në Ishëm të Durrësit, disa ditë më parë.

Fillimisht këta persona u hetuan në gjendje të lirë, por prokuroria ka kërkuar ndalimin e tyre pas dyshimeve se ata ishin të përfshirë në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Në këtë banesë policia arriti të sekuestrojë 300 kg kanabis e gatshme për tu hedhur në treg. Në vilë policia gjeti edhe 9 punëtorë, të cilët bënin ndarjen e hashashit nga gjethet.

Për këtë punë ata paguheshin 1500 lekë të reja në ditë. Gjatë këtyre dy ditëve prokuroria dhe policia kanë arritur të gjejnë prova dhe fakte të reja të cilat faktojnë se ndërtesa ishte një magazinë e mirëfilltë e cila mblidhte të gjithë hashashin e zonës.

Ka dyshime se ajo përdorej nga një grup kriminal i cili është mjaft aktiv, raporton tvklan . Burime të rezervuara nga grupi hetimor sqarojnë se magazina e drogës ruhej nga persona të armatosur dhe me maska gjatë gjithë kohës. Aty nuk lejohej të futej askush përveç punëtorëve. Ata janë marrë në pyetje nga hetuesit, por nuk kanë mundur të identifikojnë asnjë person.

Banesa është rreth 1 kilometër larg pistës, ku u ul avioni i pilotit italian Guido Guidi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat