“Ishin dy vetë të maskuar. Na zunë pritë dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi. Jam munduar të eci me shpejtësi për t’iu shmangur plumbave, por kur kam ndaluar kam parë që Ajeti ishte i plagosur. S`kam parë më asgjë dhe s`di më asgjë”! Këto janë fjalët e Agron Qokthit, të mbijetuarit të një prite të çuditshme që iu ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Torovicë të Lezhës, teksa Ajeti, vetëm 26 vjeç, djali i xhaxhait të Agronit ka ndërruar jetë.
Policia, nuk ka pista e as autorë. Po ashtu as i mbijetuari. Janë shoqëruar rreth 30 persona të cilët pas dhënies së dëshmive janë lënë të lirë, ndërsa sipas të dhënave të para dyshimet flasin për ndonjë tentativë grabitjeje. Automjeti, një kamionçine e modifikuar për të transportuar mall është qëlluar nga ana e pasagjerit, ndërsa mjeti ka qenë në ecje e sipër dhe në sediljen e parë ka qenë Ajeti, ndërsa në timon ka qenë Agroni. Ende nuk dihet se si ka mundur t`iu shpëtojë plumbave 36-vjeçari, ndërsa bëhet e ditur se 26-vjeçari ka marrë disa plagë, pasi është qëlluar drejt e në mjet. Rrëfimi i Agronit nuk ka ndihmuar aspak në hetuesit e çështjes, ndërsa trupi i pajetë i Ajetit i është kthyer familjes, që ditën e sotme do t`i japin edhe lamtumirën.
Ngjarja
Referuar të dhënave të para të Policisë së Shtetit bëhet me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 05.30 të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur “Shkambi i Kuq”. Agron Qokthi ka marrë me vete në drejtim të Torovicës kushëririn e tij, Ajetin dhe janë nisur si çdo ditë për të mbledhur qumështin nëpër zonat që ata kanë lidhur kontratat me familje për t`iu marrë qumështin çdo ditë. Kështu, sipas të dhënave janë një sërë familjesh në këtë zonë, pra në Tororvicë, që janë në lidhje biznesi me Qokthin dhe shesin qumështin prej shumë vitesh.
Sipas të dhënave policore saktësohet se djemtë kishin një baxho të tyren dhe punonin për të ndërsa disa vite më parë ata kanë qenë të punësuar te një prej fabrikave më të njohura në zonën e Veriut për mbledhjen dhe përpunimin e qumështit dhe të produkteve të bulmetit. Agron dhe Ajet Qokthi sapo kishin nisur punën dhe po hynin në zonë ku kishin për të ngarkuar bidonët me qumësht kur janë përballur me dy persona të maskuar dhe të armatosur. Të paktën kështu ka thënë i mbijetuari dhe personi i vetëm që di diçka në lidhje me momentin fatal të vrasjes së 26-vjeçarit, Ajet Qokthi. Pasi është qëlluar me breshëri kallashnikovi, Agroni e ka lëvizur me shpejtësi mjetin dhe ka mundur të shkëputet disa metra për t`iu larguar atentatorëve, ndërsa më pas ka lajmëruar policinë dhe ambulancën.
Si përherë dhe në çfarëdo lloj ngjarjeje, të dyja kanë mbërritur me vonesë, pro kryesisht ambulanca ka mbërritur rreth një orë me vonesë, kohë kur djali kishte ndërruar jetë. Më pas policia ka rrethuar zonën, ka ngritur postblloqe por ka qenë shumë vonë. Autorët kanë mundur të largohen jo vetëm të ndihmuar nga errësira por madje edhe nga terreni i njohur prej tyre. Agroni nuk ka mundur të fiksojë dot asnjë detaj në lidhje me dy personat, nëse janë larguar në këmbë apo kanë pasur ndonjë mjet, ndërsa ai ka mundur të shquajë vetëm faktin se kanë qenë të maskuar. Policia ka krehur zonën, ka nxjerrë nga dosjet e policisë së Lezhës emrat e personave që janë me precedent në fushën e grabitjes në të gjithë zonën, ka bërë shoqërimet e para, shoqërime që kanë vijuar për gjatë gjithë ditën dje dhe më pas kanë nisur edhe verifikimet e para në lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm që mund të kenë pasur djemtë.
Rrëfimi i të mbijetuarit
Agron Qokthi, sipas të dhënave të policisë, ka rrëfyer se puna për mbledhjen e qumështit në atë zonë ka qenë e përditshme. Edhe tre vite më parë, sipas tij, në të njëjtin vend janë qëlluar për grabitje, pasi ajo është një zonë në fakt është totalisht jashtë kontrollit të policisë dhe një zonë e gjitha në errësirë. Agroni në pretendimet e tij të ngritura në policia ka saktësuar se nuk kanë asnjë konflikt me askënd, as ai dhe as fisi i tij.
Gjithashtu ka mohuar në mënyrë kategorike që edhe i ndjeri, Ajeti të jetë konfliktuar me ndonjë person. Referuar të dhënave të para, policia ka ngritur që në fillim dyshimin e ndonjë konkurrence mes tij dhe ndonjë personi tjetër që bën të njëjtën punë në zonën e Trushit të Shkodrës, por Agroni ka mohuar pasi ai dhe familja e tij që e ushtronin atë aktivitet prej disa vitesh nuk kanë pasur asnjëherë asnjë lloj konflikti me persona të tjerë. Vetë 36-vjeçari ka ngritur dyshime se janë qëlluar për tu grabitur, ndërsa policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet edhe në disa pista të tjera që lidhen me faktin që mund të kenë shërbyer si shkak për pritën në të cilën ranë dy kushërinjtë nga Trushi.
Hetimet dhe dyshimet
Përveç pistës së grabitjes, një nga pistat me të cilët policia po merret gjerësisht që orëve të para të ditës së djeshme, mësohet se Prokuroria ka kërkuar nga policia e Shkodrës të hedh dritë mbi të shkuarën e dy personave që kanë ra në pritën e dy personave të maskuar dhe të armatosur ditën e djeshme. Ajet Qokthi, 26 vjeç, nga Trushi, ka ndërruar jetë pasi ka marrë disa plagë ndërkohë që as viktima dhe as kushëriri i tij nuk kanë qenë asnjëherë objekt i policisë dhe nuk kanë pasur asnjëherë precedent në fushën e krimit.
Njëkohësisht është mësuar se ditën e djeshme dy djemtë nuk kishin lekë me vete, pasi saktësohet se furnizuesit i paguajnë në një datë të caktuar që nuk ka qenë dita e djeshme. Megjithatë policia dhe njëherësh edhe prokuroria kanë dyshime se personat që kanë qëlluar mbi dy të rinjtë mund të kenë qenë edhe trafikantë droge të cilët mund të kenë qenë duke lëvizur në atë zonë dhe mund të kenë qëlluar për të pastruar zonën për shkak të frikës së ndonjë përplasjeje me armë. Sipas të dhënave, asnjë nga të shoqëruarit e djeshëm nuk ka dhënë asnjë detaj të rëndësishëm për hetimin, ndërkohë që pritet të merren në pyetje familjarët e të dy djemve.