Policia sqaron për arrestimin e zyrtarit të Deçanit

Kronikë e zezë

Policia sqaron për arrestimin e zyrtarit të Deçanit

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 15:42
Ilustrim

Policia e Kosovës përmes një komunikate zyrtare sqaron veprimet policore lidhur me rastin e ndalimit të personit A. C. (viti i lindjes 1984) nga fshati Lloçan i komunës së Deçanit.

Sipas Policisë dje  në  sallën e asamblesë së KK-Deçan ka qenë duke u mbajtur një takim në mes të përfaqësueseve të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, duke përfshirë qytetarë shqiptarë nga Deçani, qytetarë serbë ish-banorë të Kosovës, përfaqësues nga OSBE-ja, UNMIK-u, UNHCR-ja, Policia e Kosovës etj.,  të cilët ishin takuar për të diskutuar lidhur me pronat dhe banesat e qytetarëve, përmes këshillit danez për refugjatë dhe akterëve tjerë.

“Gjatë takimit personi A. C., ka marrë fjalën  dhe gjatë fjalimit të tij ka shprehur nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të pranishëm si dhe i njëjti ka deklaruar se pas daljes nga ai takim brenda 30 minutash, do t’i ftojë të gjithë qytetarët për t’u ballafaquar me Policinë dhe KFOR-in”, thuhet në komunikatë të Policisë.

Referuar situatës së krijuar është ndërprerë takimi dhe të pranishmit janë shpërndarë në lokacionet e tyre, ndërsa  më vonë personi A. C. është ndaluar nga Policia  për “nxitje të urrejtjes racore, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” dhe me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të    saja ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

I arrestuari nga Policia është Asim Cena, oficer rezervë i FSK-së dhe përfaqësues i shoqatës së të zhdukurve në Deqan.

Ndaj këtij arrestimi ka reaguar deputeti i AAK-së Daut Haradinaj i cili ka thënë se Cena shfrytëzoi të drejtën e tij për të ditur fatin e të zhdukurve shqiptar e në mesin e tyre edhe të babait të tij të vrarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat