Dëshmia me lot në sy: Tre të panjohur ishin në banesë natën e tragjedisë së trefishtë

Kronikë e zezë

Dëshmia me lot në sy: Tre të panjohur ishin në banesë natën e tragjedisë së trefishtë

Më: 12 dhjetor 2016 Në ora: 17:35
Fëmijët e vrarë nga babai ditë më parë

Babai i Naum Toshit, i cili dyshohet se javën e kaluar mbyti dy fëmijët e tij 4 dhe 7-vjeç dhe më tej vari veten, bën përgjegjëse gruan e të birit.

Andrea Toshi, i ftuar sot në emisionin “Me zemër të hapur”, u bën thirrje organeve të drejtësisë të zbardhin të vërtetën, duke thënë se nusja e djalit Marsela Toshi është kriminele.

Babai i 41-vjeçarit akuzon nusen e djalit, Marselën, nënën e dy fëmijëve për vrasjen.

Ai ngre dyshime të tjera dhe thotë se natën e krimit, sipas fqinjëve në shtëpi kanë qenë edhe tre persona të panjohur.

Si ndihesh, ke qenë edhe dëshmitari i parë?

Unë jetoj në shtëpinë e çupës, djali jetonte në shtëpinë time. Vajta të hapja pulat dhe gjeta letrën. (qan)

Kur e kishe takuar?

Në mbrëmje e kisha takuar. Më tha thuaj motrës të vijë të më bëjë një lakror.

Cila ishte biseda e fundit me Naumin?

Vetëm këtë. Që kur e mori i thashë do të hajë kokën. Kishte 5 vjet i martuar.

Ju nuk e keni dashur asnjëherë Marselën?

E kemi dashur si nuk e kemi dashur. E kemi trajtuar më mirë se tre nuset e tjera. Kur iku në Greqi, ajo tha do iki dhe unë baba. Do iki në një vend dhe erdha. Prit dy e prit tre orë e hiç. Fëmijët loznin. I thashë ç’u bëre. Nuk më ktheu përgjigje. I shkova pas dhe i thashë pse s’më ktheu përgjigje, ku ishe. Brodha tha. S’të vjen turp si flet kështu.

Kur erdhi djali i thashë. Ikën të dy e folën, s'e di çfarë bënë. Që atë ditë nuk pija kafe më me ata. Shkoja tek djali tjetër.

Ju nuk flisnin më me të?

Flisja me ta por nuk pranoja të pija më kafe me ta.

Si ishte marrëdhënia e tyre, si shkonin?

Ata shkonin shumë mirë. Por kur ika unë, ajo kishte zënë një dashnor, ngjitur me shtëpinë e djalit tjetër. Ajo bënte tërë marifetet. Një ditë e ruan djali dhe i thotë, u zunë.

Sa kujdesej Marsela për fëmijët?

Ajo katër ditë u largua nga shtëpia. Ajo denoncoi në polici në Greqi se Naumi e kishte goditur. I mbante djali tjetër që është andej fëmijët.

A u dënua Naumi pas denoncimit?

Jo, nuk u dënua.

A punonte Naumi?

Po punonte, si qeni. Djali më i mirë. Marsela nuk ka pirë ujë, por amita.

Po Marsela a punonte?

Jo asnjëherë.

Kushëriri: Naumi ka pasur 4 milionë lekë në bankë, 2 milionë ia ka dhënë Marselës. Nuk kanë pasur probleme ekonomike. Ka punuar pak kohë në duhan. Pastaj u mbyll dhe nuk punoi më.

Ju thoni se nuk e ka kryer Naumi krimin?

Jo nuk e ka kryer ai. Natën e krimit kanë qenë tre veta që nuk i njohim në banesë. E kanë parë fqinjët që kanë thënë se Marsela ka qenë natën e krimit në shtëpi dhe jashtë e priste një makinë.

Pse nuk u lejua Marsela në varrim?

Nuk e ndaloi njeri. Ishte familja e Marselës në varrim. Ata kishin ardhur dhe kishin frikë të hynin. Dola i futa brenda. Nëna e Marselës ka qarë. I thashë çfarë kishte ndodhur. I çuam edhe tek varret dhe vunë nga një lek hekuri në varr. Kunati qëndroi me mua në shtëpi.

Akuza për Marsela Toshin

Marsela Toshi (Behari), 24 vjeçe, banuese në Korçë, po hetohet në gjendje të lirë.

Policia thotë se procedimi ndaj saj ka filluar pasi, ka braktisur dy fëmijët e saj të mitur dhe më pas është larguar për në shtetin grek, konkretisht J.T., dhe V.T., të moshave 7 dhe 4 vjeç, trupat e të cilëve u gjetën të pajetë, së bashku me trupin e bashkëshortit të saj Naum Toshi, në banesën e tyre, në lagjen nr 4 Korçë.

Në ngarkim të saj materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Marsela ishte martuar me Naumin, pas një martese të dështuar nga e cila kishte një djalë dhe më pas kishte sjellë në jetë edhe fëmijën 4- vjeçar të tyre.

Ajo tha se ishte larguar drejt Greqisë për të punuar dhe ishte grindur me të shoqin, i cili nuk e aprovonte vendimin e saj.

Ajo tha se i shoqi Naum Toshi nuk e ka dhunuar, por se të dielën ishin zënë me njeri tjetrin dhe ajo ishte larguar nga shtëpia.

“Ika në Greqi të punoja, në fillim do gjeja punë e shtëpi dhe më pas do i merrja. Ai më thoshte gjej për të ngrënë, bëj ç’të duash, ke fëmijë për të ushqyer”, është shprehur Marsela në polici.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat