I humbi vajza, babai i vë flakën vetes në polici

Kronikë e zezë

I humbi vajza, babai i vë flakën vetes në polici

Më: 19 janar 2017 Në ora: 15:45
Policia në Fier

Zbardhen detaje në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur në ambientet e Policisë së Fierit, ku një qytetar i ka vënë flakën vetes në ambientet e pritjes.

Policia ka bërë të ditur se sot rreth orës 13:00, ka hyrë në ambientet të Zyrës së Pritjes së Qytetarëve në Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shtetasi Marko Sillo 57 vjeç, banues në Levan, Fier,  dhe pa komunikuar me personelin e shërbimit, ka tentuar të djegë veten me benzinë.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të Shefit të Sektorit të SHCBA, dhe personelit të zyrës së shërbimit të qytetarëve  u bë e mundur fikja në kohë e flakëve duke shpëtuar kështu jetën e këtij shtetasi, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Lidhur me këtë ngjarje ju sqarojmë se bashkëshortja e shtetasit të lartëpërmendur, më datën 20 shtator 2016 ka kallëzuar pranë DVP Fier se në vitin 2014 i është larguar vajza nga banesa dhe dyshon se mund të shfrytëzohet për prostitucion jashtë shtetit.

Për këtë kallëzim janë kryer të gjitha veprimet procedurale si nga ana e policisë ashtu edhe nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.

Për ngjarjen e ndodhur sot, janë duke u kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe hetimore nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat