Natë tmerri në Gramsh, digjen 6 shtëpi prej një dhome me dru

Kronikë e zezë

Natë tmerri në Gramsh, digjen 6 shtëpi prej një dhome me dru

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 09:32
Pamje nga vendi ku u dogjën shtëpitë

Nata e kaluar ka qënë njënatë tmerri në Gramsh, sidomos për 6 familje që iu janë djegur shtëpitë. Policia e Elbasanit ka bërë të ditur se një sobë me dru ka qënë shkaku i rënies së zjarrit mbrëmjen e djeshme në lagjen “18 Gushti” në një pallat në Gramsh.

Shërbimet e policisë bënë evakuimin e të moshuarës 75 vjeçe R.D. dhe zjarrfikëset punuan për shuarjen e zjarrit. Si rezultat  ka patur vetëm dëme materiale dhe janë djegur 6 banesa. Grupi hetimor vijon punën për kryerjen e veprimeve hetimore dhe proçeduriale.

Më shumë se 5 orë u është dashur zjarrfikësve në Gramsh për të fikur flakët e pallatit që u përfshi nga flakët gjatë mbrëmjes së kaluar. Falë punës së tyre, asnjë banor i këtij pallati nuk u lëndua, ndërkohë u bë e mundur që të lokalizohen flakët duke mos rrezikuar pallatet dhe banesat përreth.

Zjarri i mbrëmshëm, që përfshiu një pallat në këtë qytet pati përmasa të mëdha. Për fikjen e tij u angazhua i gjithë stafi i zjarrfikësve të Gramshit dhe në ndihmë erdhën dy zjarrfikëse nga Elbasani dhe një tjetër nga Librazhdi.

Puna për fikjen e zjarrit ka qenë e vështirë pasi çatia e këtij pallati ishte e amortizuar me trarë të vjetër dhe me tavan të ndërtuar me kallama. Ky ka qenë edhe shkaku pse zjarri shpërtheu njëherësh dhe ishte i vrullshëm.

Por në kohë rekord zjarrfikëset, policia dhe qytetarë të tjerë kanë ndihmuar në evakuimin e familjeve duke mos u lënduar asnjë pjesëtar i tyre.

Në vendin e ngjarjes ka qenë kryetarja e Bashkisë z. Luljeta Dollani e cila ka ngritur një grup pune që është marrë me sistemimin e familjeve. Njëkohësisht po punohet për evidentimin e dëmeve për të parë mundësinë e kompensimit.

Ende nuk ka një version zyrtar për shkakun e zjarrit. Megjithatë mendohet se shkak mund të jetë bërë një shkëndijë elektrike, apo ndonjë shkëndijë zjarri e shpërthyer në çatinë e vjetër të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat