“Do të ta bëj mishin copa-copa”: I riu nga Tirana terrorizon ish-të dashurën

Kronikë e zezë

“Do të ta bëj mishin copa-copa”: I riu nga Tirana terrorizon ish-të dashurën

Më: 4 prill 2017 Në ora: 20:04
Policia e Tiranes

“Ta dish që sot vërtet s’ka më dashuri, por vetëm do të ta copëtoj fytyrën e trupin”. “Do të ta pres kokën, a mirë, mbaje mend këtë fjalë”. Përmes të tilla mesazhesh kërcënuese, një 25­-vjeçar ka terrorizuar gjatë një muaji ish-të dashurën e tij.

Kërcënimet kanë pasur si motiv mospajtimin e të riut Marsid S. me faktin që lidhja e tyre e dashurisë ishte ndërprerë.

Përveç SMS­-ve, ai e ka ndjekur ish­-të dashurën këmba­-këmbës, 1 metër larg, sa herë ajo dilte nga shtëpia, duke u përpjekur ta ndalonte. Kjo situatë është përballuar nga vajza deri në nëntor të vitit 2016, kur ajo i ka kallëzuar veprimet e 25-vjeçarit në Policinë e Tiranës, që më pas u dërgua si i pandehur në gjykatë. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës i dha fund gjykimit ndaj Marsid S.

Ai u shpall i fajshëm për akuzën e “përndjekjes” dhe u dënua me 5 muaj e 4 ditë burg. Gjatë gjykimit, ai ka kërkuar mëshirë nga trupi gjykues dhe ka shfaqur pendesë të thellë për veprimet e kryera prej tij.

PËRNDJEKJA 
Në kallëzimin e bërë në polici, në nëntor të vitit të kaluar, e dëmtuara nga i pandehuri Marsid S. ka pohuar se fillimisht kanë pasur një marrëdhënie normale dashurore me njëri-­tjetrin. Gati një muaj para kallëzimit, marrëdhënia ishte prishur për shkak të xhelozisë së 25­-vjeçarit, i cili, sipas saj, i kishte thënë: “Nëse do të dalësh me ndonjë person tjetër, unë do të të vras”.

Ajo ka shpjeguar se në momentin e njohjes, Marsidi i kishte premtuar fejesë, por duke qenë se ai bëhej shumë xheloz, ajo është munduar që të largohej nga ky person, duke i thënë: “Nuk dua më të vazhdoj me ty”? “Të lutem më lër të qetë, ku unë të vazhdoj jetën time dhe ti vazhdon jetën tënde”.

Por në këto rrethana, ai është bërë më tepër xheloz. Në vijim, ai e ka kërcënuar me fjalë të ndryshme dhe sa herë që ajo dilte nga shtëpia, i shkonte nga pas, duke e ndjekur në një distancë prej 1 metër e duke kërkuar ta ndalonte.

SMS­-TË KËRCËNUESE 
Sipas vendimit të Gjykatës, i siguruar nga “Panorama”, gjatë kohës që e dëmtuara ka qenë në shtëpi, nga ana e të pandehurit i kanë mbërritur disa SMS me përmbajtje kërcënuese. Referuar vendimit të Gjykatës, mes tyre kanë qenë mesazhe si: “Unë ty do të të gjej sot dhe do të jetë dita e fundit që jeton”? “Nuk dua asgjë nga ti, vetëm të ta copëtoj trupin”? “Ok veç ta dish që sot vërtet s’ka më dashuri, por vetëm do të ta copëtoj fytyrën e trupin”? “Do të ta pres kokën, a mirë, mbaje mend këtë fjalë”.

Po sipas vendimit, mesazhet kërcënuese nga ana e të pandehurit drejt ish-­të dashurës së tij kanë vijuar edhe pasi ajo i ka shkruajtur se do të njoftonte policinë për kërcënimet e tij.

“Tani shko, jo më vonë se mos harro, se pa të copëtuar ty nuk më kap policia”? “Hajde se ke lagja më ke, këtu po të pres derisa të vish dhe një muaj mos me ardhe, këtu të pres”, kanë qenë mesazhet në vijim.

Mes kërcënimeve, ai i ka nisur asaj edhe një SMS me foton e një pistolete, poshtë së cilës ka shkruar: “Vetëm kjo të bën mirë ty, dil jashtë mos ta bej në sy të L…”? “A je duke dalur jashtë apo të vi vetëm brenda?”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat