Kamioni me 8 ton drogë, urdhri erdhi nga Durrësi

Kronikë e zezë

Kamioni me 8 ton drogë, urdhri erdhi nga Durrësi

Më: 18 prill 2017 Në ora: 10:49
Droge

Kamioni me 8 tonë kanabis ka hyrë nga Maqedonia në Shqipëri përmes pikës kufitare të Qafë- Thanës.

Ka dyshime nga Prokuroria se droga në kamion është mbledhur në Shqipëri dhe ka kaluar kufirin drejt Maqedonisë me mushka, shkruan “Panorama”.

Më pas, kanabisi është ngarkuar në kamion dhe është kaluar në pikën e Qafë-Thanës pikërisht për ta certifikuar “si të pastër” kamionin me drogë. Një tjetër detaj interesant i gjetur nga hetimi, është se fillimisht praktika doganore është bërë sikur kamioni do të kalonte nga Hani i Hotit.

Por më pas është ndërhyrë në sistem dhe dalja e mjetit është bërë nga Porti i Durrësit. Në shërbim në terminalin e doganës kanë qenë punonjësit doganorë Ymer Blloshmi, përgjegjës turni, Iliras Malja, me detyrë doganier pranim, verifikim dokumentacioni, V.B., me detyrë doganier në hyrje.

Përpilimi i praktikës doganore për këtë automjet është bërë nga agjenti doganor Maliq Kadilli, më datë 05.02.2017. Sipas praktikës doganore, dokumentacioni i automjetit është bërë me destinacion dalje për te Dogana e Hanit të Hotit në Shkodër.

Por, pasi automjeti ka lëvizur në territorin shqiptar, agjenti doganor Maliq Kadilli në bashkëpunim me përgjegjësin e turnit, Ymer Blloshmi, kanë bërë ndryshimin e destinacionit të daljes së këtij automjeti në Degën e Doganës Durrës.

DËSHMITË

Gjatë dëshmisë, agjenti doganor Maliq Kadilli ka deklaruar se për devijimin e destinacionit të daljes së kamionit është njoftuar nga agjenti doganor tjetër, që nuk ndodhej atë ditë, ishte pushim, shtetasi Kastriot Topulli.

Ky i fundit ka deklaruar se nuk është detyrë e tij të ndjekë praktikën doganore të përpiluar nga agjenti doganor tjetër, por, më datë 05.02.2017, rreth orës 14:00, atë e ka telefonuar një person nga Dogana Durrës, që ndodhej me shërbim, duke i kërkuar ndryshimin e destinacionit të daljes së automjetit kamion me targa maqedonase, më datë 05.02.2017, nga Dogana Durrës për në Itali.

Në dëshminë e vet, përgjegjësi i turnit, shtetasi Ymer Blloshmi, ka deklaruar se ndryshimin e destinacionit të daljes së automjetit kamion të mësipërm nga Dega e Doganës Durrës për në Itali e ka bërë ai në bashkëpunim me doganierin Ilirjas Malja. Ndryshimet në sistem janë bërë nga doganieri Ilirjas Malja, megjithëse kjo procedurë ishte detyrë funksionale e doganierit të kontrollit fizik.

KONTROLLI

Prokuroria ka zbuluar se dokumentacioni i automjetit ku ndodhej droga është kontrolluar në Doganën e Qafë- Thanës nga doganieri Ilirjas Malja dhe më pas u ka kaluar kolegëve të tij për veprime të mëtejshme doganore.

Është bërë verifikimi i tendës së automjetit, e cila ka rezultuar e rregullt e më pas ka bërë plumbosjen e tij dhe pasi janë hedhur këto të dhëna në sistem, është lejuar automjeti që të lëvizë për në territorin shqiptar për në dalje te Dogana e Hanit të Hotit në Shkodër. Rreth orës 14:45, pas kërkesës së bërë nga agjenti doganor Maliq Kadilli, është bërë ndryshimi i destinacionit të daljes për te Dogana Durrës.

Të dhënat në sistem janë ndryshuar nga doganieri Ilirjas Malja. Nga këqyrja e librit të shërbimit në Stacionin e Policisë së Portit Durrës, në kohën e daljes së dy automjeteve me lëndë narkotike nga Porti Durrës për në Itali, më datë 05.02.2017, kanë qenë me shërbim punonjësit e policisë të grupit të kontrollit, shtetasi Gëzim Dervishi, me detyrë specialist i trajtimit të qenve të shërbimit, Mexhit Xhixha, Roland Metani, Agron Kapllani, Gentian Selmani, me detyrë shoqërues qeni antidrogë, Medi Demiri, kontrollor, Fatmir Plaku, me detyrë ndihmësspecialist kontrollor.

Ndërsa shefi i Stacionit të Policisë së Portit Durrës ka qenë shtetasi Julian Doraci. Nga deklarimet e punonjësve të Policisë Kufitare te Stacioni i Policisë së Portit Durrës, si dhe nga provat e tjera të administruara, nuk rezulton që ata të kenë ushtruar kontrollin e automjetit kamion me targa maqedonase, më datë 05.02.2017, në kohën kur ai ka dalë i ngarkuar me lëndë narkotike nga Porti Durrës për në drejtim të Italisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat