Ja arsyeja e plakut që sulmoi avokatin në Tetovë

Kronikë e zezë

Ja arsyeja e plakut që sulmoi avokatin në Tetovë

Më: 20 prill 2017 Në ora: 12:41
Ilustrim

Një lokal ishte arsyeja e sulmit që iu bë dje avokatit nga Tetova Bujar Sabriut në zyrën e tij. Ky i fundit kishte marrë pronësinë e lokalit në një ankand të përmbaruesit, pasi që të njëjtin banka ia kishte marrë si hipotekë 72 vjeçarit , Vebi Abazi.

72 vjeçari asnjëherë nuk ishte pajtuar me faktin që kishte humbur lokalin, dhe kishte kërkuar që t’i kthehet përsëri.  Avokati Sabriu thotë se ka pranuar që t’ia kthej pronësinë e lokalit, por ka kërkuar kompensim, e për këtë i kishte disa afate që t’i sigurojë të hollat, por kjo nuk ka qenë e mundur.

Kjo situatë ka shtyer Vebi Abazin që të martën në mes të ditës të shkojë në zyrën e Bujar Sabriut dhe pas 30 sekondave përleshje verbale, ta sulmojë me thikë, rrëfen ngjarjen avokati.

“ProCredit Banka bënte shitjen e një pasurie të patundshme. Unë me një shokun tim ishim investitorë dhe u paraqitëm, e paguajtëm çmimin dhe e morëm atë pasuri të patundshme. Pastaj i njëjti njeri u paraqit dhe më tha ajo ka qenë e imja, unë e kamë lënë në hipotekë dhe ju duhet të mos e merrni atë lokal. Pasi kështu është punë, atëherë të merremi vesh. Ne kemi pagjuajtur të holla, dhe i thash që të na i kthejë paratë që i kemi dhënë dhe shpenzimet që i kemi bërë, dhe mere përsëri pronën tënde. Kërkoi disa afate, ne ia mundësuam, mirëpo nuk reagoi pozitivisht. Lokali ka qenë në shërbim të tij gjatë gjithë kohës, edhe sot e kësaj dite është në shfrytëzim të tij. Kur ne dëshiruam që ta marëm në dorëzim tonin, ai e bëri këtë sulm, e tani e tutje mendoj se është puna e prokurorisë edhe e gjykatës”, tha ai.

Oda e Avokatëve e Republikës së Maqedonisë e dënon ashpër këtë sulm. Sipas tyre, një akt i tillë tregon se për nevojën e shtimit të masave të sigurisë nëpër zyrat e avokatëve.

“Avokatët i mbrojnë të drejtat e qytetarëve në korniza të mundësive ligjore. Por, në situatë kur, eventualisht klienti është i pakënaqur nga ndihma juridike, kjo duhet të jetë objekt i procedurës ligjore para organeve disiplinuese të Odës së Avokatëve të Republikës së Maqedonisë. Kjo ngjarje duhet të shërbejë si paralajmërim që avokatëve t’u ofrohet siguri e plotë në çdo moment kur mbrojtja të jetë e nevojshme, të jetë e kërkuar apo të ekzistojnë indicie se është e nevojshme”, thanë nga Oda e Avokatëve e R.M.

Edhe pse tentuam, assesi nuk arritëm që të biem në kontakt me Vebi Abazin, avokatin apo ndonjë familjar të tij, që ta dëgjojmë versionin e tyre.

Ka gati dy orë që po presim para zyrave të Vebi Abazit, person ky që dyshohet i cili ka sulmuar dje avokatin, mirëpo deri tani askush nuk ka dal që të na jep përgjigje për këtë rast. 

Vebi Abazi dje është marrë në pyetje nga policia e Tetovës, dhe me pas është lëshuar në liri, ndërsa nga prokuroria e Tetovës bëjnë me dije se po hetojnë rastin dhe arsyet e sulmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat