Asgjësimi i hashashit, reagon policia: I kemi thirrur edhe prokurorët

Kronikë e zezë

Asgjësimi i hashashit, reagon policia: I kemi thirrur edhe prokurorët

Më: 22 prill 2017 Në ora: 16:12
Ilustrim

Pas akuzave të prokurorit të përgjithshëm mbi përjashtimin e organit të akuzës në procesin e asgjësimit të kanabisit të sekuestruar, Top-Channel u interesua pranë uniformave blu për të marrë një reagim mbi deklaratat e Adriatik Llallës.

Sipas drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, në shumicën e rasteve kur sekuestrohet kanabis në zona të thella malore janë vetë prokurorët që nuk vijnë. “Ata, për shkak të largësisë urdhërojnë me telefon që të vijojnë procedurat pa praninë e tyre. Policia për çdo rast të asgjësimit me anë të djegjes në vend mban procesverbal në prani të ekspertëve dhe oficerit të policisë gjyqësore, si dhe çdo sasi e djegur fotografohet dhe i bashkangjitet dosjes përkatëse”, kanë deklaruar burimet. 

Po sipas uniformave blu, asgjësimi me anë të djegies në vend aplikohet vetëm në rastet e kapjes së bimëve në proces tharjeje ose të rasteve të mbetjeve të kanabisit dhe nga këto merren disa mostra për analizat që zhvillohen në laboratorin e policisë shkencore. 

Në rastet e tjera, kur sekuestrohet kanabis i paketuar dhe gati për trafikim, thonë burimet, asnjëherë nuk është proceduar më anë të asgjësimit në vend. Në bazë të statistikave, nga janari i këtij viti deri më tani janë sekustruar rreth 28 tonë kanabis, nga të cilat vetëm 3 tonë mund të jenë asgjësuar me anë të djegies në vend. Pjesa tjetër është dërguar në mjesidet e laboratorit shkencor, ose në mjediset e drejtorive të policive përkatëse dhe vetëm pas procedurave të përcaktuara në ligj mund të asgjësohen me urdhër të prokurorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat