Levë kokës, vjehrri tregon sherrin me nusen: Ç’ndodhi para se ta vrisja

Kronikë e zezë

Levë kokës, vjehrri tregon sherrin me nusen: Ç’ndodhi para se ta vrisja

Më: 6 maj 2017 Në ora: 10:07
"Nuk desha ta vrisja, desha vetëm ta trembja”, mësohet të ketë pohuar i moshuari para trupit gjykues

“U nxitova atë ditë. Nuk desha ta vras, por ajo më ofendoi rëndë dhe nuk di ç’bëra më tej”.

Ndoc Tota, 75-vjeçari, i akuzuar për vrasjen me mjete të forta të 41-vjeçares Vera Tota, nuses së djalit të tij, u shfaq i penduar dje në Gjykatën për Krimet e Rënda. Gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë, i moshuari pretendoi se nuk kishte dashur ta vriste nusen e djalit, por vetëm ta trembte. Me kërkesë të prokurorisë, gjyqtarja e gatshme, Liljana Baku, caktoi për të masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Krimi në familje për të cilin akuzohet i moshuari Tota ndodhi mëngjesin e së mërkurës në oborrin e banesës së tij, në fshatin Zhejë të Kurbinit. Në përballjen e tij të parë me gjykatën, trupi gjykues “toleroi” të pandehurin, duke mos i kërkuar të heqë kapelën për llogari të solemnitetit në gjykim. 

Dëshmia

Burime brenda seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura pohuan se i moshuari i ka shpjeguar gjykatës se prej një kohe të gjatë kishte një marrëdhënie të acaruar me nusen e djalit të tij. Sipas tij, ajo nuk kujdesej sa dhe si duhej për të dhe për bashkëshorten e tij të moshuar. Në lidhje me ditën e ngjarjes, i dyshuari ka pohuar se ka pasur një zënkë me fjalë. Sipas tij, gjatë kësaj zënke është ofenduar rëndë nga ana e nuses dhe kur ajo ka qenë në oborr, e ka qëlluar me një levë në kokë. "Nuk desha ta vrisja, desha vetëm ta trembja”, mësohet të ketë pohuar i moshuari para trupit gjykues. 

Nga ana e tij, përfaqësuesi i Prokurorisë i ka bërë me dije gjykatës se debatet mes viktimës dhe të akuzuarit si autor kishin si motiv faktin se djali i 75-vjeçarit kishte vendosur të kthehej në fshat për t’u kujdesur për prindërit. Për këtë shkak, marrëdhënia mes tyre ka qenë e acaruar në vijimësi dhe ka kulmuar mëngjesin e së mërkurës me agresionin fizik ndaj 41- vjeçares.Avokatja mbrojtëse e 75-vjeçarit i kërkoi gjykatës një masë më të butë sigurie se ajo e “arrestit me burg”, me pretendimin se ai ka pranuar krimin dhe për shkak të moshës së tij të thyer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat