‘Pse ajo jeton me ne?’ Sherr mes kunatave, 47-vjeçarja rrihet në banesë

Kronikë e zezë

‘Pse ajo jeton me ne?’ Sherr mes kunatave, 47-vjeçarja rrihet në banesë

Më: 25 maj 2017 Në ora: 17:57
Ilustrim

Policia e Gramshit ka arrestuar në flagrancë motër e vëlla, pasi në sherr e sipër kanë dhunuar fizikisht, si dhe kanë kanosur me thikë nusen e vëllait të tyre.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës, ku 58-vjeçarja K. Miraka, e cila është me status beqare dhe jeton në banesë me vëllain e vogël, ka nisur të konfliktohet me fjalë me kunatën e saj. Pas debatit në banesë ka shkuar edhe vëllai tjetër i saj, shtetasi S. Miraka, 65 vjeç, i cili ka ndërhyrë në debatin mes motrës dhe kunatës së tij. Pas kësaj, ata kanë nisur ta godasin me shpulla nusen e vëllait të tyre, shtetasen me iniciale Q.M., 47 vjeçe. Madje, ata kanë nisur ta kanosin edhe me thikë. Dyshohet se konfliktet mes tyre kanë qenë sistematike në familjen Miraka, ku mes dy kunatave ka pasur debate, nga pakënaqësia që motra beqare jetonte bashkë me ta. 

Pasi e kanë kanosur dhe goditur, 47- vjeçarja ka marrë në telefon Policinë dhe kjo e fundit ka bërë arrestimin në flagrancë të motër e vëlla. Policia bën me dije se arrestimi i tyre u bë pasi në banesë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dy të arrestuarit kanë ushtruar dhunë fizike dhe kanë kanosur me thikë kunatën e tyre, shtetasen Q.M., 47 vjeçe, banuese në Gramsh, pasi edhe kjo i është kundërpërgjigjur dhunës, duke goditur motrën e burrit të saj. Pas sinjalizimit, policia ka mbërritur në vend dhe ka marrë dëshmitë përkatëse nga ku ka prangosur dy familjarët. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat