“Do të djeg me benzinë, do të vij tek shtëpia për të të vrarë”

Kronikë e zezë

“Do të djeg me benzinë, do të vij tek shtëpia për të të vrarë”

Më: 28 maj 2017 Në ora: 08:38
Ilustrim

Një grua e martuar dhe me dy fëmijë, prej disa muajsh është përndjekur në mënyrë sistematike nga shtetasi Fatmir Z. Ky i fundit është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg, për akuzën e “Përndjekjes”. Episodi i fundit i përndjekjes është regjistruar më datë 06.12.2016, ku gruaja ka bërë edhe kallëzimin në polici.

Ajo ka thënë se Fatmir Z., në mënyrë të përsëritur e përndiqte duke i krijuar frikë dhe panik. Në muajin maj të vitit të shkuar, kallëzuesja është shprehur se ka qenë e detyruar të largohej nga puna, për shkak se i pandehuri i shkonte atje herë pas here duke e shqetësuar. Por, pavarësisht largimit të saj nga vendi i punës, Fatmiri nuk ka nguruar t’i shkojë edhe në afërsi të banesës ku ajo jetonte me bashkëshortin dhe fëmijët e saj. “Në datë 06.12.2016 rreth orës 13:30, kallëzuesja ka dashur të dalë me një komshien e saj për të pirë një kafe dhe bashkëshorti i saj i cili ishte në dritare, duke parë shtetasin Fatmir Z., ka njoftuar menjëherë policinë”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Kërcënimi dhe përndjekja

Në vendimin e zbardhur nga Gjykata, në dëshminë e dhënë nga kallëzuesja thuhet se përveç faktit që Fatmir Z., e ndjek nga mbrapa atë dhe pjesëtarët e familjes së saj ka pasur raste që e ka kërcënuar me fjalët: Do të djeg me benzinë, kam dash me ardh tek shtëpia për të të vrarë, por më ka ardhur keq për gocat që do shikonin gjak, do të shkatërroj familjarisht etj. Nga ana tjetër, në vendim citohet dëshmia e të pandehurit i cili thotë: Nuk e pranoj akuzën. Dua të sqaroj se ditën e ngjarjes unë kam qenë për punët e mia tek Ministria e Brendshme për t’u ankuar kundra disa punonjësve të policisë, pasi më kanë kërcënuar dhe ofenduar duke i dhënë të drejtë kallëzuese për akuzat e saj ndaj meje. Ato nuk janë gjë tjetër veçse mashtrime dhe intriga të asaj femre në bashkëpunim me punonjësit e policisë, emrat e të cilëve i kam dërguar në Ministrinë e Brendshme dhe tek drejtori i SHÇBA.

Sa kam ndaluar përjashta një lokali tek Rruga e Kavajës për të pirë një kafe. Ndërkohë, më vijnë dy punonjës policie me motor dhe më shoqëruan për verifikim. Ju thashë të më thoshin arsyet përse po më shoqëronin dhe ata më thanë për verifikim. Më morën në makinë, më vunë prangat dhe thanë që shoqërohesh për verifikim. Më pas, oficeri i policisë më mori në pyetje dhe më tha se përse akuzohesha dhe aty mora vesh që ndaj meje ishte bërë një kallëzim për përndjekje. Unë nuk kam ndjekur njeri nga mbrapa apo të kem ngacmuar ndonjë person. Absolutisht nuk kam lidhje me akuzën që më bëhet nga kjo shtetase, le të shihen kamerat e lokalit ku janë dhe lëvizjet e mia…..”.

Vajza e kallëzueses

E pyetur si person që ka dijeni për ngjarjen, vajza e kallëzueses ka deklaruar se: Shtetasi Fatmir Z., ndiqte nga mbrapa, thoshte fjalë të ndryshme për mamanë, duke e kërcënuar me fjalë si p.sh “në qoftë se ti nuk do vazhdosh me mua, unë do të vras ty dhe familjen tënde, do pendohesh që ke bërë kallëzim për mua në polici”. Në një rast kam qenë së bashku me mamanë në ambulancë dhe ai ka ardhur aty dhe e ka kapur nga krahu mamanë me forcë duke e tërhequr.

Akuza

Më datë 07.02.2017, organi i akuzës ka vendosur të marrë si të pandehur shtetasin Fatmir Z., për veprën penale të “Përndjekjes” dhe me këtë akuzë e ka dërguar çështjen për gjykim. Gjykata, nga provat e shqyrtuara gjatë gjykimit krijon bindjen se i pandehuri ka konsumuar veprën penale të përndjekjes, vepër kjo e parashikuar nga neni 121/a,1 i Kodit Penal. U provua plotësisht gjatë gjykimit se ky i pandehur e ka ngacmuar në mënyrë të përsëritur duke e survejuar dhe shoqëruar të dëmtuarën gjatë gjithë kohës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat