Rikthehet hasmëria e vjetër në Elbasan, goditen vëllezërit Beqiri

Kronikë e zezë

Rikthehet hasmëria e vjetër në Elbasan, goditen vëllezërit Beqiri

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 15:30
Gentian Beqiri

Ditën e sotme në Elbasan dy vëllezër i kanë shpëtuar atentatit me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një punishteje e cila ndodhet në Lagjen “Shënkoll” Elbasan ndërkohë dy vëllezërit janë gjetur të plagosur lehtë. 

Pas ngjarjes u mësua se dy të plagosurit janë vëllezër të Gentian e Sajmir Beqiraj të ekzekutuar më herët në serialin e vrasjeve që kanë pasuar hasmëritë mes familjes së tyre dhe asaj Çapja.

Policia bën me dije se të lënduarit janë Arben Beqiri 49 vjeç ndërsa vëllai tjetër është G.Beqiri.

Njoftimi i policisë

“Më datë 21.06.2017, në orët e para të mëngjesit jemi njoftuar se në afërsi të një punishteje e cila ndodhet në Lagjen “Shënkoll” Elbasan janë dëgjuar të shtëna armësh.

Menjëherë shërbimet e policisë, janë nisur për në vendin e ngjarjes ku kanë konstatuar se brenda ndërtesës ndodheshin dy persona të dëmtuar lehtë.

Dy vëllezërit u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin Kirurgjik Elbasan dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga shërbimet e policisë rezultoi se persona të paidentifikuar dyshohet të kenë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve të cilët kanë qenë duke punuar në punishte.

Të dy shtetasit janë dëmtuar lehtë jo nga plumbat por gjatë tentativës për t’i shpëtuar të shtënave me armë zjarri, duke u përplasur me sendet që ndodheshin brënda punishtes. Grupi hetimor vijon hetimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat