12-vjeçarja në polici: Arrestojeni babain, është i pamëshirshëm

Kronikë e zezë

12-vjeçarja në polici: Arrestojeni babain, është i pamëshirshëm

Më: 7 gusht 2017 Në ora: 09:59
Foto ilustrim

Nuk e ka duruar dot dhunën e vazhdueshme të babait ndaj saj, vëllezërve e motrave, si dhe nënës.

Ndaj, një 12-vjeçare e ka denoncuar prindin e dhunshëm dhe të alkoolizuar në Policinë e Durrësit. Sipas dëshmisë së 12-vjeçares që citohet nga “Panorama”, vajza ka shkuar në polici pasi është goditur me grushte nga babai i saj, duke përfunduar edhe në spital për mjekim. 

Ky i fundit, me origjinë nga Puka dhe prej disa vitesh banues në Durrës, është arrestuar nga efektivët për “Dhunë në familje”.

“Vendosa ta denoncoj babain, pasi më ka qëlluar disa herë. Këtë radhë më ka dëmtuar duke më qëlluar me grushte në pjesë të ndryshme të trupit. Kam frikë të qëndroj me babain në shtëpi, pasi ai është shumë i dhunshëm dhe qëllon pa mëshirë dhe pa arsye vëllezërit dhe motrat e mija, si dhe nënën. Kohët e fundit ai kthehet në shtëpi në gjendje të dehur dhe zihet me ne pa ndonjë arsye. Dua që ai të arrestohet, pasi kemi frikë të qëndrojmë me atë në shtëpi”, është shprehur ndër të tjera vajza gjatë deklarimit në Polici mbi dhunën e ushtruar nga babai i saj.

Nga ana e tij, babai dhunues është justifikuar me faktin se ka qenë në gjendje të dehur ndërkohë që ka qëlluar vajzën 12-vjeçare. Mësohet se e mitura është shprehur se i ati i kishte kërkuar edhe ujë, por ajo kishte refuzuar t’i urdhërohej në gjendjen që ishte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat