Shqiptarët në skafin me 2.6 tonë drogë në Itali “arsyetohen” se punonin me pagë

Kronikë e zezë

Shqiptarët në skafin me 2.6 tonë drogë në Itali “arsyetohen” se punonin me pagë

Më: 7 gusht 2017 Në ora: 12:11
Skafi

Policia italiane ka marrë në pyetje dy shqiptarët e arrestuar me gomonen me 2.6 tonë kanabis tri ditë më parë.

Dy personat me inicialet B.B., 42 vjeç, dhe J.H., 31 vjeç, të dy nga Vlora, kanë pohuar se do paguheshin nga 2 mijë euro secili për dërgimin e ngarkesës me lëndë narkotike në Itali.

Ata, nga ana tjetër, nuk kanë pranuar të tregojnë kush ishte financuesi i kësaj ngarkese apo pritësit e drogës në Itali, shkruan ‘Panorama’. Lënda narkotike ishte e ndarë në 110 pako me sasi të ndryshme, me peshë totale 2.5 tonë.

Trafikantët fillimisht u pikasën nga Policia Kufitare malazeze e më pas në ndjekje të tyre është angazhuar edhe Policia Kufitare italiane. Pasi kuptuan se ishin në ndjekje nga policia, dy skafistët nga Vlora kanë hedhur 2.5 tonë kanabis në mes të detit, duke u përpjekur që më pas t’i shpëtojnë arrestimit.

Nga verifikimet e kryera prej policisë italiane dhe shqiptare, është zbuluar se gomonia që është përdorur për transportimin e ngarkesës prej 2.6 tonësh drogë ka qenë e paregjistruar në Shqipëri.

Mjeti gjithashtu ka rezultuar se ishte pa dokumentacion. Për këtë arsye ka qenë e vështirë të identifikohet pronari i mjetit apo blerësi e përdoruesi i tij, mirëpo disa prova të tjera të gjetura nga policia duket se tregojnë se pas kësaj ngjarjeje fshihet një biznesmen shqiptar.

Dyshimet janë se ngarkesa me drogë mund të jetë nisur nga Vlora ose nga Lezha, ndërsa dy skafistëve u janë gjetur disa shënime “të koduara”, të cilat duket se fshehin pronarin e drogës, financuesin e aktivitetit dhe pritësit e lëndës narkotike në Itali. Sipas përllogaritjeve të hetuesve, dyshohet se lënda narkotike do të kapte vlerën e 20 milionë eurove nëse hidhej në treg e shpërndahej me çmimin aktual të kanabisit në Itali.

Policia shqiptare njoftoi tri ditë më parë se forcat e kufirit të Shqipërisë me koordinimin e QNOD, NUFROM i Guardia di Finanzas në Durrës dhe Vlorë dhe Policia e Kufirit të Malit të Zi kishin dalë në afërsi të kufirit Shqipëri-Mali i Zi ku edhe ishte drejtuar gomonia, pasi i ishte afruar njëherë bregdetit të Termolit në Molizë, nga ku edhe ka filluar ndjekja.

“Gjatë ndjekjes trafikantët kanë hedhur në det ngarkesën, duke e bërë më të vështirë ndjekjen. Trafikantët dhe gomonia janë sekuestruar dhe u janë dorëzuar autoriteteve gjyqësore italiane”, ka thënë Policia.

Më 11 janar 2017, Besmir Hameti, nga Vlora, së bashku me të arrestuarin tjetër italian, Domeniko Pascariello, tentuan të trafikonin në brigjet e Brindisit 1.9 tonë hashash. Hetuesit italianë u kanë gjetur një letër dy të arrestuarve të ngarkesës 2.5 tonësh, ku ka një listë me emra dhe kontaktesh, mes të cilave dhe të Hametit e Pascariellos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat