Policia e Lezhës ka arrestuar një nga tre autorët e shpallur në kërkim rreth gati dy muaj, pas incidentit të ndodhur ditën e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit në Shëngjin, ku një simpatizant i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim u dhunua pranë një qendre votimi.
Bëhet e ditur se në pranga ka përfunduar shtetasi Gentjan Marku (Sakica), 26 vjeç, banues në Lezhë.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin Nr. 175 datë 28.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” kryer në bashkëpunim.
Policia bën me dije se “Gentjan Marku më datë 25.06.2017( ditën e zgjedhjeve) në Shëngjin, në bashkëpunim me shtetas të tjerë të proceduar penalisht, është përfshirë në një konflikt fizik që fillimisht ka filluar verbal e më pas ka agravuar fizik e me mjete të forta mes tyre , ku njëri prej personave të përfshirë ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Si pasojë e atij konflikti ka mbetur i dëmtuar lehtë shtetasi Florian Dushkun”.
Ndërkohë vijojnë të jenë në kërkim Samuel Ndoka dhe Danjan Ndoka.