Vajza la Italinë për të dashurin nga Lezha, ai e kërcënonte: Më jep 7 mijë euro se do të publikoj fotot

Kronikë e zezë

Vajza la Italinë për të dashurin nga Lezha, ai e kërcënonte: Më jep 7 mijë euro se do të publikoj fotot

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 17:59
Ilustrim

Një 18-vjeçar është arrestuar pasi kërcënonte të dashurën e tij se nëse nuk jepte një shumë prej 7 mijë eurosh ai do të publikonte në rrjetet sociale foto të tyre personale.

E ndërsa duket se historia e dashurisë me 18-vjeçarin nga  Lezha i është kthyer në makth adoleshentes që jeton prej shumë vitesh në Itali bashkë me familjen e saj.

Njohja me 18-vjeçarin kishte ndikuar që vajza adoleshente kohët e fundit të jetonte mes Italisë dhe Shqipërisë. Edhe pse e lindur në Itali, ajo kishte shprehur simpati për Kristjanin, të cilin e takonte gjatë kohës që qëndronte në Lezhë për pushime.

Ndërkohë që gjatë gjithë kohës dy të rinjtë ishin në kontakt të vazhdueshëm përmes rrjeteve sociale. Pikërisht disa foto intime të tyre u bënë shkak për nisjen e kërcënimeve nga ana e të riut.

17-vjeçarja, e cila aktualisht ndodhet në Shqipëri, ka denoncuar ngjarjen në polici para pak kohësh, duke bërë që të nisin edhe hetimet në lidhje me kanosjen që i ishte bërë nga i dashuri. Gjatë kallëzimit, vajza ka rrëfyer para oficerëve të policisë të gjithë atë çfarë kishte ndodhur. Për këtë arsye, Seksioni kundër Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë mbajti nën mbikëqyrje 18-vjeçarin për një javë për të arritur në arrestimin e tij në flagrancë.

Forcat e policisë madje i kishin kërkuar vajzës që të mos ndërpriste komunikimin me të dashurin, në mënyrë që të kishte prova për pretendimet e saj. Sipas burimeve nga policia, bëhet e ditur se Kristjan N. ka vijuar shantazhet ndaj të dashurës së tij 17- vjeçare, sidomos në tri ditët e fundit, duke përdorur për këtë qëllim edhe mesazhet telefonike.

Ka qenë pikërisht kjo provë që ka çuar më pas në arrestimin nga forcat e policisë të 18-vjeçarit. Në dëshminë e tij para oficerëve të policisë, ai nuk e ka pranuar akuzën, duke deklaruar se mesazhet nuk janë nisur nga telefoni i tij. Policia po vijon hetimet në lidhje me ngjarjen, ndërsa ka sekuestruar telefonat celularë të dy të rinjve për të vërtetuar pretendimet e adoleshentes.

Sipas të dhënave, 17-vjeçarja, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur, ka lindur në Itali, vend ku familja e saj jeton prej shumë vitesh. Tashmë 18-vjeçari i arrestuar do të përballet me akuzën e ngritur ku materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat